Mitraj debuton me gol dhe Tomori fluturon, Turbina akuzon gjyqtarin

Edi Spahiu

Spektakël i Tomorit ndaj Turbinës, në një ndeshje vërtetë të pabesueshme përsa i përket ritmit. Për plot 82 minuta lojë skuadrat kanë luajtur me nga 10 futbollistë, por kjo nuk ja zbehu aspak forcën dhe bukurinë këtij takimi.

PJESA E PARË – Takimi nis mjaft i bukur, ku vendasit spikatin me disa raste. Në minutën e 7-të, pas një ndërhyrje të Çaços ndaj Sollakut ka “xixa” midis futbollistit mik dhe Sharavollit. Kryesori Mustafaraj nuk heziton, por i ndëshkon të dy me të kuqe. Deri në fund, të dy skuadrat luajnë me nga një futbollist më pak. Kur pritej që skuadrat të shfaqnin rezerva në lojën e tyre për shkak të një futbollisti më pak, ka ndodhur e kundërta. Gjithsesi, Tomori dominon në epërsi dhe raste.

PJESA E DYTË – Në këtë fraksion loje, spektakli i Tomorit është i pandalshëm, pasi, rasteve të shpërdoruara në fraksionin e parë, tashmë iu ka ardhur radha e golave. Pikërisht në minutën e 62-të, vjen goli, pas një aksioni model me tre pasime, ku Koleci që i shërben Çaços në zonë, dhe ky i fundit i jep një asist për sulmuesin Aldo Mitraj, që finalizon fare pranë portës. Avantazhi çliron beratasit, që përfitojnë edhe nga hedhja në sulm e Turbinës. Kundërsulmi i beratasve është “vrasës” dhe situatat e golit, sa vijnë e shtohen. Në minutën e 77-të, Dobra vepron bukur, duke iu shmangur një kundërshtari, por pengohet në zonë, duke fituar 11 metërsh, të cilin Çaço me shumë qetësi e kthen në gol. Në minutën e dytë shtesë, i riu i talentuar Redi Buba me një veprim mjeshtëror brenda zonës ka realizuar golin e tij të parë personal me Tomorin. Rezultati shkon në 3-0, por si kundërpërgjigje në minutën e 93-të Turbina fiton një 11 metërsh, pas një aksioni të bukur të kapitenit Roshi. Ish-sulmuesi i Tomorit, Bakiu fatkeqësisht gjuan jashtë. Ndeshja mbyllet 3-0 me Tomorin që merr tri pikët, ndërsa cërrikasit, pavarësisht meritave të skuadrës beratase, bënë të pamundurën për të marrë pikë.  

Arbri: Fitore me djersë, askush nuk na e hedh dot poshtë

Gersi Arbri, trajneri i Tomorit lavdëroi skuadrën e tij pas ndeshjes. Ish-futbollisti, tani trajner, pranoi se ekipi i tij, mund të bëjë më shumë në fushën e lojës. “Kishim punuar shumë gjatë gjithë kësaj periudhe të përgatitjes katër javore, dhe më vjen mirë që jemi shpërblyer me një fitore bindëse. Loja jonë ka qenë gjatë gjithë kohës në kërkim të golit, dhe pse miqtë mbroheshin me forca të shumta, por gjithçka ka qenë e merituar dhe me djersë. Madje mund të them, se dalja e Sharavollit, jo vetëm që na penalizoi për vlerat që ka ky futbollist, por edhe me dhjetë lojtarë ne treguam se vlejmë. Çdo kundërshtar me këtë frymë grupi dhe cilësi, që disponojmë do të vuajë shumë në Berat. Jam i kënaqur nga loja e të gjithë futbollistëve pa përjashtim. I përgëzoj edhe zëvendësuesit që ma shpërblyen me lojë të bukur dhe me gola”, mbylli Arbri.

Bardhi: Gjyqtari vendosi rezultatin, ndeshja dilte barazim

Sinan Bardhi, numri një i Turbinës ka një këndvështrim tjetër përsa i përket takimit. Sipas tij: “Ndeshjen për mua e fitoi gjyqtari kryesor. Bravo i qoftë! Veprimet e tij ndikuan në fitoren e Tomorit, pasi goli i parë ishte pozicion i dukshëm jashtë loje, ndërsa dha një 11-metërsh krejt të dyshimtë, në një kohë që duhej të jepte 11-metërshin e parë në fillim të lojës, që iu mohua beratasve. Ne vijmë të luajmë futboll, e na ndëshkohet gjithë djersa jonë. Për mua, për sa dhanë të dy skuadrat, ndeshja fare mirë meritonte të dilte në barazim”.

TOMORI – TURBINA   3-0

Shënues: Mitraj 62′ Çaço 79′ Buba 92’

Tomori: Kaloshi, Gjonaj (Dobra 52′) Kopaçi (G.Hoxha 85′) Mersini, Daci, Sharavolli, Çaço, Paja, Mitraj (Buba 82′), Bitri, Koleci. Në dispozicion: Haxhi, Mirani, Xherimeja, Serdari. Trajner: Gersi Arbri.

Turbina: Hasanbelli, Bajrami (Gazheli 54′) Sallaku, Pashaj, Bakiu, Peqini, Taulla (Haxhidauti 70′), Cara, Çota, Roshi, Gërxho. Në dispozicion: Cami, Callari, Ferhati, Xhelili, Doda. Trajner: Sinan Bardhi.

Gjyqtarë: L. Mustafaraj, A. Shkreta, A. Bixhi (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Gjonaj 50′ / Bajrami 15′, Roshi 45′, Çota 83’

Kartonë të kuq: Sharavolli 8′ / Sallaku 8′

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *