Kondogbia, Nagatomo, Miranda e Zhoao Mario mund t’i garantojnë miliona euro të ardhura klubit zikaltër që po kërkon të rregullojë bilancet financiare
Interi shpreson të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, që do të sillte përfitime të mëdha financiare. Kjo do të mësohet të dielën në përfundim të ndeshjes kundër Lacios. Por Interi pret të arkëtojë miliona euro dhe nga disa shitje të rëndësishme. Pa dyshim që lojtari që pritet të sjellë më shumë miliona në arkat e zikaltërve është XHofri Kondogbia. Mesfushori është huazuar tek Valencia dhe klubi spanjoll është gati të paguajë 25 milionë euro për të blerë përfundimisht kartonin e tij. Këto 25 milionë euro do të ishin tepër të vlefshme për Interin, që do të siguronte një përfiton neto prej 4-5 milionë eurosh. Mund të duken pak, duke menduar diskutimet ku flitet për shuma më të mëdha, por në fakt janë tepër të rëndësishme, sepse do t’i shërbenin Interit për të rregulluar bilancet e veta dhe për të qëndruar brenda rregullave të fair play financiar të vendosura nga UEFA.
Nagatomo e Miranda – Interi nis fushatën e arkëtimit nga Kondogbia dhe vijon më tej me Juto Nagatomon. Momentalisht, japonezi luan i huazuar tek Gallatasaraji. Verdhekuqtë e Stambollit dëshirojnë ta mbajnë në ekip mbrojtësin e krahut dhe kjo mund të sillte dhe 3-4 milionë euro më shumë në arkat e klubit. Këto janë marrëveshjet thuajse të mbyllura. Por drejtori sportiv Piero Auzilio nuk do të ndalet me kaq. Ai pritet të bëjë dhe lëvizje të tjera brenda 30 qershorit për të garantuar që financat e Interit të jenë plotësisht brenda rregullave të UEFA-s. Një temë që po diskutohet prek të ardhmen e Zhoao Mirandës. Braziliani ka dhe një vit kontratë me Interin, por me ardhjen e De Vrij, Interi mund të vendosë të sakrifikojë atë dhe nga shitja e mundshme e Mirandës do të fitonte 5 milionë euro neto. Më e ndërlikuar situata për Zhoao Marion. Interi shpenzoi 40 milionë euro në vitin 2016 për ta marrë nga Sportingu. Portugezi do të kthehet nga huazimi te Uest Hami dhe Interi ndodhet mes dy zgjedhjesh, ose t’i bëjë një vend në ekip – gjë që duket e vështirë – ose ta shesë për të paktën 25 milionë euro.