Milani i Gatuzos magjeps, gjunjëzon Romën me dy produkte Akademie!

Kush do t’i ndalë më? Ndoshta, askush, ndoshta shumëkush, por Milani i Gatuzos është thjesht i pathyeshëm. Mbrojtje hermetike, mesfushë teknike, forcë fizike por edhe sulm cinik dhe finalizues… me një bomber “alla Inzagi”, pra Patrik Kutrone, që shkon 6 gola në kampionat dhe që tregon se është padiskutim ai futbollisti i momentit i panoramës italiane, për sa i përket të ardhmes.

Por, kuqezinjtë në “Olimpico” të Romës, pas një pjese të parë ku luajtën “shah” dhe lanë kundërshtarin që të lodhej, në të dytën bënë diferencën. Gola, vertikalizime, hapje krahu dhe manovër e shpejtë me pasime të ngushta.

Kështu vjen goli i Kutrones, pas pasimit të artë të Susos. Një devijim që gënjen Alison, i cili pak më pas i thotë “jo” Kaliniç, ndërsa grushton edhe goditjen e Çalhanoglu nga jashtë zone, por nuk mund të bëjë asgjë kur një super aksion i nisur nga këmbët e Kalabrias, finalizohet nga ky i fundit, me një parabolë mbi Alison.

Roma hidhet totalisht në sulm,por është konfuze, teksa kuqezinjtë i afrohen golit të tretë, duke e shpërdoruar disa herë, kryesisht rasti i Borinit. Pesë fitore në gjashtë ndeshjet e fundit në kampionat dhe vetëm 3 gola të pësuar e 11 të shënuar. Ndërsa, në total janë 11 ndeshje pa humbje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *