Milani do ta nisë vitin 2021 me një borxh ndaj ish-legjendës Boban, i cili ka fituar gjyqin ditën e sotme. Sipas vendimit të gjykatës italiane, kroati do të fitojë 5.3 milionë euro, duke e quajtur të drejtë akuzën e tij për shkarkim nga detyra pa arsye. Ende nuk është vendosur nëse kjo shumë do të jepet e plotë apo do të paguhet me këste.
Drejtuesit e Milanit u përpoqën të justifikojnë në gjykatë se shkarkimi nuk ishte i rastësishëm, por i justifikuar, pasi sipas tyre, Boban kishte nxjerë informacionet e merkatos pa u konsultuar më parë me Gazidis dhe trajnerin e skuadrës, Piolin. Megjithatë juristët e çështjes nuk u bindën nga këto fakte, duke i hedhur poshtë aludimet e kryesisë së klubit./Elio Hajdari-Sport Ekspres/