Silvinjo zgjodhi që të tregonte dorën e tij te Shqipëria që në ndeshjen e parë kundër Polonisë. Braziliani thirri disa lojtarë që nuk e kishin parë fanellën e Kombëtares, por edhe emra si Lindon Selahi që janë thirrur më rrallë. Jasir Asani ishte një prej debutuesve të Shqipëria. Në momentin që ftesa i mbërriti, nuk kishte shumë diskutime, por kur u mësua se do të luante titullar, si një vend shumë paragjykues, jo pak thanë: “Mik të fortë paska pasur”.
E të jemi të sinqertë, një futbollist që luan te Gwangju në Korenë e Jugut është më pak ekzotik sesa Anis Mehmetit i Bristol City në Championship. Por Asani tregoi se futbolli nuk luhet me emra ekipesh dhe me numër golash në ato skuadra ku ti luan. Ishte një bast i Silvinjos, në fund doli i fituar, pavarësisht se mungoi goli apo asisti.
Praktikisht Jasir Asani mund të driblonte të gjithë ekipin e Polonisë me lehtësi të frikshme, madje më thjeshtë sesa Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi dhe lojtarët e tjerë të Shqipërisë. Leksione futbolli për “yjet e Kombëtares”, si për t’i treguar se nuk duhet të futesh asnjëherë inferior në fushën e lojës.
Ishte vetëm hera e parë, por Asani nuk kishte frikë me topin në këmbë, përkundrazi, guxoi shumë dhe në disa raste ia doli mes tre mbrojtësve polak. Në fakt mediat dhe opinioni sportiv kritikon shpesh trajnerin e Kombëtares që nuk i beson lojtarëve të Superiores. Por kur fanella e titullarit i vjen një futbollisti të dalë nga Superiorja dhe që tani luan diku jashtë Europës, jemi po ne të parët që paragjykojmë dhe kërkojmë të tjerë elementë. Epo, Jasiri na befasoi dhe na heshti të gjithë, nota “10”, një më tepër se numri që mbante në fanellë. /Sport Ekspres/