Mezani zbulon me sinqeritet “sekretin”

Pas barazimit të marrë në ndeshjen me Partizani, trajneri i Laçit, Gentian Mezani, ka folur në emisionin “Gol pas Goli”, teksa ka analizuar ndeshjen dhe ato që shkuan e nuk shkuan në skuadrën e tij.

NDESHJA
“Jam i kënaqur me këtë ndeshje. Erdhëm në këtë takim për të qenë në ekuilibër dhe për të mos pësuar. Ishim në fushë për të sulmuar jo për të barazuar. E dinim sa e vështirë ishte ndeshja, partizani vinte nga fitorja ndërsa ne nga barazimi. Ja kam thënë dhe çunave që të ishte një ndeshje e vështirë, diçka që na e kushtëzonte dhe terreni. Më kënaq ky barazim pasi kishim një kundërshtar direkt dhe jam i kënaqur se e lamë poshtë dhe ndeshjen e ardhshme e kemi në shtëpi”.

OBJEKTIVI
“Ne do të vazhdojmë me objektivin e radhës. Objektivi për ne është Kupa e Shqipërisë. Na duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë, kjo ka shumë rëndësi. Edhe vendi i tretë na ngroh dhe është gjë e mirë. Në kampionat objektivi ynë është vetëm ndeshja e radhës”.

NDESHJET ME PARTIZANIN
“Ne mundohemi të bëjmë punën tonë. Partizani ka një skuadër ndryshe, ka një skuadër që po luan dhe futboll të mirë. Është për t’u vlerësuar dhe fati ka qenë me ne. Gabimet kanë qenë më të pakta dhe më të theksuara nga ana e tyre, çka ka bërë që të marrim 7 pikë. Ne kemi gabuar më pak, ata kanë gabuar më shumë, ne kemi marrë 7 pikë ata vetëm 1”.

MESFUSHA
“Kishim një problem, pasi Bardhi vjen pas dëmtimit dhe është në një fazë që sa më shpejt ta fusim në ritëm e ta çojmë në ato pozita ku ka qenë. Ritmi i tij nuk është i duhuri dhe na u krijua problemi. Në pjesën e dytë ishim më ndryshe, në pjesën e parë kundërshtari na vuri pak më shumë në vështirësi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *