Mezani ndërroi Gentian Selmanin që bëri 2 gabime fatale, Bledi Shkëmbi del kundër: U çudita! Unë do ta lija në fushë, e bëja analizën pas ndeshjes

Kukësi ka arritur të fitojë derbin e veriut në transfertë me Lacin në shifrat 1-2. Verilindorët kanë shfrytëzuar në maksimum ditën më të keqe të karrierës së Gentian Selmanit. Kështu kurbinasit bien në zonën e ftohtë, pasi gjenden në vendin e 8, të “Play Out”, ndërsa Kukësi ka një pikë më shumë se Laci.

Në fillim ishin vendasit që kaluan në avantazh me Guindo. Pas një aksioni të bukur, sulmuesi gjeti cepin e rrjetës në minutën e 10. Rashiti do të barazonte te Kukësi në të 26 pasi gjendej i pambuluar në zonë.

Pjesa e dytë kishte në kryeqendër të vëmendjes Gentian Selmanin që kaloi një ditë të errët, ndoshta më të keqen e karrierës. Pas një krosimi të Gjelbrim Taipit nga goditja e këndit në të 53, Selmani e la topin në zonë për Ebert, që duhej vetëm ta shtynte sferën drejt rrjetës.

Dhurata nuk përfundoi këtu pasi Selmani bëri tjetër gabim të pafalshëm pak minuta më vonë. Në një dalje të tij, teksa kërkoi të bënte disa veprime teknike me topin, portieri gaboi dhe Gjelbrim Taipi shënoi golin e 3. Më pas do të ndërhynte VAR për ta anuluar, pasi Rashiti kishte bërë ndërhyrje të lehtë të palejuar ndaj Selmanit. Mezani vendosi që të ndërronte menjëherë Selmanin me Dajsinanin pas kësaj, ndërsa shifrat nuk ndryshuan deri në fund. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:

Bledi Shkëmbi flet për vendimin e Mezanit për të larguar Gentian Selmanin: “Ishte çudi që e ndërroi. Nuk e di, duhet ta pyesim nëse ka pasur ndonjë problem tjetër. Unë personalisht nuk do ta ndërroja, e quaj gabim, pasi mund të presësh një ndeshje dhe pastaj të bësh analizën e portierit”.

Hallaci: “Fitorja vjen në një moment të mirë për ne. I kam kërkuar ekipit të mbaj topin në zotërim. Më vjen mirë që edhe pasi shënuam, luajtëm po njësoj. I kam vëzhguar me kujdes Spahiun dhe Mazrekajn dhe i kam thënë lojtarëve që të kenë kujdes. Jam i kënaqur sesi po luajnë futbollistët. Nuk mund të them se do të bëjmë festë pasi nuk e kemi luksin, por do të jemi të përqendruar në ndeshjet e tjera. Kemi folur me drejtuesit, nuk dua ta diskutoj më tepër, objektivi është qëndrimi në Superiore”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *