Mezani ndahet miqësisht me Laçin: E kam menduar mirë. Vendosa veten, para karrierës

Trajneri vlonjat habit, duke zyrtarizuar largimin nga drejtimi i Laçit. Asnjë polemikë dhe vetëm falënderime për kurbinasit: “Ambient fantastik, jam ndjerë shumë mirë“.

Gentjan Mezani, krejt papritur, nuk është më trajner i Laçit. Një ndër trajnerët më të suksesshëm në Superiore këtë sezon ka vendosur të largohet, duke deklaruar dorëheqjen e pakthyeshme, vendim i pranuar edhe nga presidenti i Laçit, Pashk Laska. Në këtë fund sezoni Mezani, së bashku me Dajën, Pakultin e Hasan Likën, ishin fituesit e mëdhenj të sezonit, por vlerat e Mezanit shtoheshin për faktin se kishte skuadrën më të re dhe më pak eksperte në Superiore, aq sa verën e shkuar parashikimet e shihnin Laçin në vendet e fundit në Superiore. Nica iku shumë shpejt, i zhgënjyer nga luhatjet e lojës dhe rezultateve, ndërsa Mezani vendosi një bast të rrezikshëm, të cilin e fitoi plotësisht. Një ndër trajnerët më të rinj në Superiore, vlonjati i lë kurbinasit në Europa League dhe me një finale kupe të humbur jo për fajin e vet. Ky divorc ka ardhur për arsye personale, sqaron Mezani, i cili nuk ka asnjë ankesë e nuk polemizon me askënd. Kurbinasit tani duhet të kërkojnë një timonier të ri sa më parë pasi ndeshjet e Europës janë shumë pranë. Kjo ka qenë eksperienca e dytë e Mezanit si trajner i parë, pasi më herët ka drejtuar për edhe skuadrën e Flamurtarit, herë si trajner i përkohshëm e herë si përfundimtar.
Mezani, një rrufe në qiell të hapur ky largim.
– Jam menduar gjatë dhe kam vendosur të ndalem këtu. Misionin që kishim si skuadër dhe staf e realizuam, peng është që nuk fituam dot kupën, por nuk patëm as fat. Jam shumë i kënaqur nga ky sezon në Laç, ka qenë gjithçka e shkëlqyer. Në veçanti dua të falënderoj tifozët. Tifozeri fantastike, jam ndjerë si në shtëpinë time. Në finalen e Kupës së Shqipërisë u dëgjua 5-6 herë tifozeria që brohoriste emrin tim, kjo është diçka e rrallë, nuk i ndodh çdo trajneri.
Ndarja me presidentin Laska, si ishte?
– Normale, i komunikova që nuk vazhdoja dot më dhe më mirëkuptoi. I shpjegova që ishte vendim pa asnjë prapaskenë, nuk kam asnjë ofertë tjetër. Nëse do të kisha, do i kisha thënë si burrat që kisha një ofertë dhe do ti kërkoja të më mirëkuptonte. U ndamë duke i dhënë duart njëri-tjetrit, pa asnjë hatërmbetje.
Vendim i shoshitur mirë?
– Po, e kam menduar mirë, nuk është ndonjë vendim i marrë në gjaknxehtësi e sipër, apo i marrë sot. E kam marrë prej kohësh, e kisha vendosur.
– Ka pasur ndonjë sinjal nga klube të tjerë?
– Asnjë sinjal, asnjë ofertë, nga asnjë klub. Nuk u largova me planin se do shkoj diku tjetër. Nëse do të vijnë oferta në të ardhmen, është tjetër diskutim, por unë i ri jam, nuk ka arsye për t’u nxituar.
Ishte ekip i ri, i ndërtuar me shumë punë dhe duket si një mision i ndërprerë në mes.
– E drejtë, por nuk kam ç’bëj. Ka momente që duhet vendosur vetja para karrierës, edhe pse përpara ishte pjesëmarrja në Europa League, një arritje e madhe. I kam falënderuar të gjithë në Laç, nga i pari tek i fundit.
– Nuk ke frikë se do të interpretohet keq ky largim?
– E di që ndoshta dikush do të mendojë për keq, më vret kjo gjë nëse ndodh, por e them me sinqeritet që nuk ka asnjë prapaskenë, thjesht vendosa ta mbyll këtu, të mendoj pak për veten dhe të qëndroj me familjen për pak kohë. Kam respekt maksimal për atë ambient, ishte vend fantastik, jam ndjerë shumë i respektuar në Laç, ndoshta më shumë nga sa e prisja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *