London… Big Ben, Tamiz, pak çaj, çadra gjithmonë e hapur dhe 17 skuadra profesioniste… Por, ka edhe nga ata që luajnë jo për para… Historia e një klubi që u themelua si pjesë e policisë më të rëndësishme në Londër, por që sot “jeton” e vetme, sepse agjentët nuk luajnë më futboll për të…
Speciale nga Anton Cicani
Pyetje: a e dini vallë se sa klube futbolli ka Londra?! Kujdes, mos u nxitoni, sepse kjo nuk është një pyetje e thjeshtë me 3 alternativa a) b) dhe c) por me të “ngecur”. Sigurisht, këtu heqim semi-profesionistët dhe diletantët, sepse ashtu do të duhej një ditë për të folur për ekipet e epiqendrës së Anglisë dhe ndoshta Britanisë së Madhe. “Big Ben” dhe ura në lumin Tamiz padiskutim që janë krenaria e një qyteti që jeton me shiun, mjegullën e mëngjesit, por edhe me orën e çajit dhe taksitë karakteristike.
Por, ky qytet “përtyp” sidomos futboll. Sepse, në London (Londra) gjen gjithçka të duhet. Dhe tani, përgjigjia e pyetjes së fillimit të artikullit: janë 17 skuadra profesioniste, 5 nga të cilat në Premier League (Arsenal, Uatford, Uest Ham, Totenham, Çelsi, Kristal Palas), 4 në Championship (Fulham, Kuins Park Rejnxhërs, Milluoll, Brentford), 2 në Football League One (Uimbelldon, Çarllton), 1 në Football League Tëo (Barnet) dhe 4 në National League, ose ndryshe Konferencë (Dag & Red, Lejton Orient, Saton dhe Bromlei).
Pak histori dhe arritje…
Por, sot, historia jonë “zhytet” më thellë, në kategoritë ku të punosh dhe luash futboll është rendi i ditës. Dhe, nëse puna jote është të mbash distinktivin dhe pistoletën, atëherë ndoshta këtu ndërlikohen gjërat. Në Londër, te skuadra më e veçantë, ose ndryshe e quajtur “Metropolitan Police”, skuadra e policisë londineze, që ndodhet në Molesey, 21 km nga qendra e qytetit, ose ndryshe në jug-perëndim. Klubi u themelua në vitin 1919. Në fillim luante vetëm miqësore, deri në vitin 1928 kur hyri në Spartan League dhe ku u paraqit deri në vitin 1960. Në atë vit, ndryshoi ligë duke u futur te Metropolitan League, por në 1971, uy rikthye në Spartan. Në vitin 1977 u futën në Division Two, e krijuar nga Isthmian League dhe menjëherë morën shkallët për më lart…
Në vitin 1982, për vetëm dy pikë nuk arritën të diplomoheshin, por në 1985 ranë sërish në Division Two. Diploma u arrit sërish në vitin 1988, por në vitin 1991 edhe njëherë u kthyen në Division Two, ku qëndruan deri në vitin 2002, ku u kthyen në Isthmian League dhe në Metropolitan Police u fut në Division One South.
Në vitin 2010 fituan kupën e tyre të parë, duke mundur 5-3 Uimbëlldon dhe siguruan London Senior Cup. Në sezonin 2010/11 fituan për diferencë golash ligën Isthmian Division One South, duke shkuar në Premier Division, ku ndodhen aktualisht.
Ato që nuk dinit…
Metropolitan Police është distrikti i Policisë së Londrës, i njohur nga të gjithë. Pikërisht këtu lindi dhe ideja për të krijuar një ekip futbolli, që agjentët të zbaviteshin në fundjavë, duke praktikuar sport. Dhe, deri në vitin 2011 e bënë më së miri, kur tutela nga Policia e Londrës u shkëput. Motivi? Nuk mundet që agjentët të jenë të impenjuar në kampionat, kur rreziqet në rrugët e Londrës janë të shumta dhe duhet të jenë në shërbim. Skuadra e East Molesey (Surrey), pak larg Londrës, luan në Imber Court (një strukturë sportive të cilën policia e bleu në vitin 1919). Po, sepse në Angli, policia blen truall për t’u stërvitur, nuk e përvetëson…
Do të thoni: kush do të shkojë të shohë disa policë që heqin uniformën blu dhe veshin atë të ekipit? Mesatarisht 70-80 tifozë, por vetëm brenda fushe, sepse në transfertë nuk shkonte askush.
E gjitha kjo zgjati deri në fund të vitit 2011, kur policia e shtetit vendosi që të braktiste klubin, duke i hequr të drejtën agjentëve që të luanin aty. Një rregullore e veçantë? Asnjë nuk mund të futej në
klub pa xhaketë dhe këmishë, pra i veshur me “smoking”. Motivi? Serioziteti, mbi të gjitha.
Agjenti i fundit, ose polici, që veshi fanllën e Metropolitan ishte Kreg Braun në vitin 2013, në një ndeshje në FA ndaj Krauli Taun.