Sportingu i Lisbonës ka disa javë që është në kaos total, me tifozët që dhunuan futbollistët në fund të sezonit dhe presidentin e klubit portugez Bruno de Karvalo që akuzohet se është faktori për frymën e dhunshme rreth klubit. Trajneri Zhorzh Zhezus dhe disa lojtarë të rëndësishëm kanë prishur kontratat me gjyq (Rodrigo Batalia, Rafael Leao, Bas Dost, Rui Patrício, Uilliam Karvalo, Bruno Fernandesh, Zhelson Martins, Daniel Podence e Rúben Ribeiro) dhe kanë bërë thirrje që të largohet presidenti, por Bruno de Karvalo nuk pyet dhe tashmë ka gjetur trajnerin e ri.
Është Sinisha Mihajloviç, serbi i cili në Itali ka drejtuar disa klube (Bolonja, Katania, Fiorentina, Sampdoria, Milan e Torino), por edhe ka bërë skandal me deklaratat e tij në të shkuarën, duke nga mbështetja për Arkanin dhe qëndrimi pro Serbisë në masakrat në Kosovë, Kroaci e Bosnje-Hercegovinë.
Mihajloviç është akuzuar edhe për racizëm ndaj Patrik Vieirasë, ndërsa pak kohë më parë në një debat në lidhje me sjelljen e grupimeve ekstremiste të djathta të Lacios, që kërcënonin tifozët e Romës duke u kujtuar Aushvicin dhe Ana Frankun, Mihajloviç tha: “Nuk e di kush është Ana Frank”.