Tirana ka arritur që të fitojë pastër ndaj Teutës me shifrat 4-0. Kjo përballje vinte me shumë interes për sportdashësit pasi të dy ekipet ndodheshin në një moment të vështirë. Loja nisi e kujdesshme dhe pa shumë ritëm me aksionet sulmuese. Visar Bekaj kreu një pritje të bukur ndaj Hebajt në minutat e para.
Më pas fjala iu dha Redon Xhixhës që zhbllokoi takimin kur më pak pritej, teksa Xhixha dhuroi një silurë nga 22 metra në minutën e 44. Menjëherë pas nisjes së takimit do të vinte dyfishimi i shifrave, teksa Hasani tundi rrjetën. Redon Xhixha vazhdoi të thellonte shifrat duke qenë i papërmbajtur në të 57 për të gjetur cepin e rrjetës, ndërsa në të 90 e gjeti tripletën nga 11-metërshi për t’i dhënë dush të ftohtë ekipit të Bledi Shkëmbit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “Oversport”:
Redon Xhixha: “Kam firmat e të gjithë shokëve te topi. Jam shumë i kënaqur, u futëm në fushë për të fituar dhe ia dolëm. Më e rëndësishme sesa numri i golave është ndihma për Tiranën. Gjithmonë trajneri më thotë që të godas portën. Penallti të tjera alla Jorginho? Ishte rezultati 3-0, prandaj e provova ashtu. E bëj provë edhe në stërvitje në këtë mënyrë, por nëse do të ishte ndeshje tjetër dhe me rëndësi, mund ta godas ndryshe. Nëse do të ishte në dorën time do t’i falja këto tre gola, nuk i dua, vetëm për t’i shënuar në derbi”.
Bledi Shkëmbi: “Kishim momentet tona të mira në nisje, kishim dy ku të paktën një duhej ta kishim shënuar. Pas pësimit të golit nuk ishim më e njëjta skuadër. Na iku më pas besimi te vetja në qarkullimin e topit. Kemi probleme në mesfushë dhe në qendrën e mbrojtjes. Për fat të mirë janë 2 javë pauzë për shkakun e Kombëtares dhe jam i bindur se nuk do të jetë më kjo Teutë e pjesës së dytë. Xhixhës duhej t’i kishin bërë faull në rastin e golit të parë, e lanë të lirë. Pas kësaj gabuam shumë, në gjithçka. Lojtarët me eksperiencë duhet të marrin situatën në dorë”.
Orges Shehi: “Na kënaq fitorja sot nga vetë pozitat ku ishim. Kemi marrë minimumin e pikëve në ndeshjet e fundit dhe për këtë arsye na duhej fitorja sot. Fillimi ishte i vështirë sot, po i bënim pak gjërat e kundërta. Por edhe duke qenë jo mirë, po dilnim para portës me Hasanin dhe me Seferin. Goli i parë na zhbllokoi gjithçka. Kemi dy javë para për të përgatitur derbin me Partizanin tani, kur dihet rëndësia e këtij takimi. Nuk ka kundërshtar të lehtë në Superiore, të gjitha ekipet të bëjnë dëm”.