Merkatoja e Tiranës, nga Kosova deri në Ganë

Olsi Avdiaj

Ardian Limani është një nga lojtarët që Tirana kërkon të marrë nga kampionati kosovar. Burime të “Sport Ekspres” bëjnë me dije se klubi Tirana ndërmjet menaxherëve të tij ka kontaktuar me lojtarin kosovar, i cili luan si mbrojtës. Futbollisti i Dritës së Gjilanit ka edhe një vit kontratë, por duket se Tirana do ta afrojë në skuadër. Ndonëse kërkesa ka qenë insistuese, duket se si lojtari dhe vetë klubi i Dritës së Gjilanit nuk kanë dashur që të jenë pjesë e këtij operacioni. Është diskutuar shumë gjatë për këtë çështje. Drita ka thënë “jo” për momentin, por nuk dihet nëse gjërat do të ndryshojnë deri në fund të merkatos.

Rexhinaldo – Një tjetër lojtar që po përflitet te bardheblutë është Rexhinaldoja. “Ish”-i i Laçit është një tjetër kandidaturë për sulmin. Nuk dihet nëse palët kanë arritur marrëveshje, por po diskutohet me futbollistin. Për Rexhinaldon interesohen edhe skuadra të tjera, duke filluar nga Kukësi, Partizani e skuadra të tjera të Superiores.  

Merkato ganeze – Një pjesë tjetër e merkatos pritet të vijë nga Afrika. Mësohet se bardheblutë do të afrojnë një ganez. Futbollisti luan në prapavijë, por problemi i vetëm mbetet që nuk ka luajtur prej disa muajsh. Po kështu, po shihen edhe futbollistë nga Kenia dhe duhet të sqarohet situata me Keneth Mugunën, Erik Oumën e Ilias Iasun. Tirana do të luajë këtë sezon në Superiore dhe sigurisht objektivat e klubit bardheblu tashmë dihen. Drejtuesit kanë premtuar se do të krijojnë një skuadër që minimumi të kapë Kupat e Europës, por nuk do të jetë çudi nëse do të luftohet edhe për titullin kampion, synim ky i deklaruar nga trajneri Ze Maria. Bardheblutë kanë një grup me lojtarë cilësorë, megjithatë në elitë duhen përforcime në çdo repart. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Aktualisht, Tirana ka prezantuar vetëm rinovimin e kontratës së Erjon Hoxhallarit.

Hamdi Namani, edhe më pranë Tiranës

Kosovari Hamdi Namani me shumë gjasa mund të mos vazhdojë bashkëpunimin me Llapin. Kapiteni i kësaj skuadre i ka dy oferta tejet serioze dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen, shkruan “Gazetasheshi.com”. Mesfushori i njohur po kërkohet nga Tirana dhe marrëveshja është shumë afër. Llapjanin e ndajnë vetëm edhe disa detaje të vogla nga transferimi te ekipi i Ze Marias. Ndërkohë, pista e dytë e lojtarit është Feronikeli. Në rast të dështimit të transferimit në kryeqytet, Namani mund të përfundojë te skuadra nga Drenasi dhe gjasat që ai të qëndrojë te Llapi janë të vogla. Edhe Risto Mitrevski është në shënjestrën e Tiranës. Prej kohësh bardheblutë mendojnë për emrat e merkatos, por akoma nuk kanë nxjerrë gjë në vijë. 26-vjeçari ka luajtur 15 takime këtë sezon me Hapoel Haifan dhe mund të kthehet në Maqedoni dhe më pas në Shqipëri. Luan në krahun e djathtë dhe të majtë. Është 187 cm i gjatë dhe një përforcim për ekipin e Tiranës në krahët e mbrojtjes, gjithmonë nëse afrohet te bardheblutë. Mësohet se lojtari është piketuar dhe po shihet mundësia e afrimit në ekipin 24 herë kampion. Lojtari në Maqedoni ka luajtur me Popedën, Rabotniçkin, Napredokun, Teteksin, Metalurgun, Kroaci me Istra 1961-in dhe në Serbi me FK Donjin. Kontrata e tij mbaron më 30 qershor dhe ai mund të jetë i lirë për t’u veshur bardheblu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *