Emrat e diskutuar për t’u shitur mbeten po ata, me mbrojtësin më të kuotuar. Lëvizjet e Skënderbeut pritet të bëhen gjatë përgatitjeve në Turqi
Leonard Trebicka
Ka ende shumë kohë për merkaton dhe trajneri Daja do të ketë një takim me presidentin Takaj për këtë temë, por kuptohet që disa gjëra janë menduar që më parë. Nuk ka asnjë lëvizje deri tani, në hyrje apo në dalje, ndaj dhe vetë trajneri Ilir Daja nuk është në gjendje të thotë diçka më shumë për momentin. Janë përfolur emra lojtarësh si alternativa për t’u veshur bardhekuq, por gjithçka për merkaton e Skënderbeut duket se do ta zbardhë Antalia, ku korçarët do të qëndrojnë më shumë se 10 ditë për t’u përgatitur për vazhdimin e kampionatit. Pas takimit Takaj-Daja pritet të ketë detaje të reja për lëvizjet e mundshme në kampin korçar. Skënderbeu është në kohë dhe së pari do të shohim se kush do të të largohet, ose më saktë kush do të shitet dhe kush do të huazohet. Pavarësisht fjalëve të shumta, gjërat do të jenë më të qarta në Antalia. Kur skuadra të udhëtojë drejt Turqisë për fazën dimërore, do të jetë vendosur për të gjitha lëvizjet.
SHITJET – Në klubin korçar ka javë Të tëra që flitet për ofertat që e ardhura për futbollistë të ndryshëm. Në zyrën e presidentit Takaj lista është e gjatë, por ai deri tani nuk ka zbuluar ndonjë ofertë konkrete dhe sa është shuma financiare më e lartë që ka mbërritur deri tani. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se i pari që do të largohet, është Jashanica. Mbrojtësi kosovar ka bërë “valixhet” gati, madje edhe vetë ka deklaruar se në janar do të largohet nga Skënderbeu. Drejtuesit e Skënderbeut po vlerësojnë ofertat dhe gjasat janë që “Jasha” të lërë Korçën për një kampionat të huaj. Menaxherët e Skënderbeut janë duke punuar për transferimin e tij në një ekip të huaj dhe ditët e para të janarit do të merret një vendim për futbollistin në fjalë. Jashanica edhe verën e kaluar kishte oferta, por presidenti Takaj e mbajti në skuadër, pasi ishte një lojtar që i duhej Skënderbeut. Për Jashanicën është momenti i duhur për t’u shitur, duke gjykuar edhe nga fakti se Fidan Aliti është përshtatur shumë në mbrojtjen e Skënderbeut, ka lojtarë që mund ta zëvendësojnë. Destinacioni më i mundshëm i Jashanicës është Rusia, por një opsion është edhe Belgjika. Përveç Jashanicës, ka edhe lojtarë të tjerë te Skënderbeu që janë gati të shiten, por është Takaj ai që vendos, duke marrë në konsideratë ofertat financiare. Largimi i parë i sigurt është ai i sulmuesit Martin Nespor, edhe pse klubi nuk e ka bërë zyrtar ende.
BLERJET – Të gjithë në Korçë mezi presin të mësojnë ndonjë emër lojtari, që do të firmosë për Skënderbeun. Alternativat janë të shumta deri tani, por zyrtarisht nuk konfirmohet asnjë emër nga klubi korçar. Trajneri Daja e ka thënë se reparti që ka më shumë nevojë për përforcime është sulmi dhe në janar, kur ekipi të zhvendoset në Antalia, do të ketë patjetër të reja. Burime pranë klubit bëjnë me dije se pritet një sulmues nga jashtë, pasi në Shqipëri nuk ka lojtarë të lirë. Drejtuesit e Skënderbeut duan të përzgjedhin një lojtar me cilësi të lartë, i cili mund të konkurrojë Ali Souenë. Blerjet në fakt do të jenë me “pikatore”. Tifozët duhet të presin ditët turke për të mësuar lëvizjet konkrete te Skënderbeu.