Mesfushori malazez mbetet në ajër, nëse ikën nga Kukësi me shumë gjasa nuk luan dot deri në verë. Kontrata është arma e tij, menaxheri Shunjeviç tregon gjithçka
Kukësi vijon të përforcohet, pas largimeve në janar, por ndërkohë ka ende një çështje të hapur, që kërkon zgjidhje. Bëhet fjalë për mesfushorin Milosh Kërkotiç, i shpallur i panevojshëm në fund të dhjetorit, por ka një problem: kontrata. Futbollisti ka firmosur kontratë një-vjeçare dhe nuk mund të largohet kaq kollaj. Nga Kukësi nuk ka reagim zyrtar, por çështja është serioze dhe tashmë klubi nuk ka rrugë të mesme, ose duhet të rikthejë Kërkotiçin në skuadër, ose të përballet me të në FIFA. Gazeta ka komunikuar me menaxherin e futbollistit, Aleksandër Shunjeviç, i cili ka rrëfyer gjithçka.
MARRËDHËNIA ME KUKËSIN – “Është hera e parë që afroj lojtar te Kukësi, ishte klubi kampion dhe prisja të ishte më profesionist, aq më shumë që kam punuar edhe me klube të tjera në Shqipëri dhe nuk kam pasur probleme. Realisht kam mbetur shumë i zhgënjyer, sepse në verë firmosëm një kontratë një-vjeçare, por që nuk është respektuar, aq sa është e pabesueshme po të tregoj gjithçka ka ndodhur. Fillimi ishte perfekt, marrëveshja u arrit shpejt, në fund të gushtit Kërkotiç firmosi kontratë për një vit, me 3500 euro pagë mujore, si dhe 5000 euro pagesë në dorë. Më pas, gjithçka shkoi keq”, tregon Shunjeviç, i cili është menaxher shqiptaro-malazez, i cili flet shqip shumë mirë, duke pasur origjinë shqiptare.
PROBLEMET – “Sezoni nuk shkoi ashtu si prisnin drejtuesit, që ndoshta menduan se duhej bërë revolucion, duke nisur nga disa lojtarë. Nuk e di pse Kërkotiç u përfshi në listën e lojtarëve të panevojshëm, por justifikimi i dhënë është qesharak. Kukësi pretendon se ai ka shkelur rregulloren, por kur kemi kërkuar cilën pikë të rregullores, na është thënë se Kërkotiç ka shkuar në Podgoricë pa leje. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ka shkuar me lejen e mjekut të klubit. Në përfundim të vitit 2017, Kërkotiç nuk kishte marrë dy nga 4 pagat që i takonin, ndërsa njërën pagë nuk e kishte marrë të plotë. Justifikimi: rezultatet e dobëta të skuadrës sollën gjoba për të gjithë. Kjo është absurde, nuk ndodh askund në Europë, ose të paktën jo në nivele të larta, si pretendon se është klubi kampion i Shqipërisë”.
NGËRÇI – “Kukësi i ka komunikuar Kërkotiçit se është në listën e largimeve, por unë nuk mund ta pranoj këtë gjë. Kemi firmosur kontrata në shqip dhe anglisht në verë, i dimë detyrimet dhe të drejtat tona, Kukësi nuk mund ta largojë lojtarin kaq lehtë. Ia kemi bërë të qartë klubit që nuk pranojmë prishje të njëanshme kontrate, ndaj na ofruan ulje të ndjeshme page, por Kërkotiç nuk mund të vazhdojë me 1500 euro në muaj, ka firmosur kontratë me kushte të tjera. Nëse në Federatën Shqiptare ekziston ndonjë kontratë tjetër, ndryshe nga ajo që kemi ne, është problem i FSHF-së dhe Kukësit”.
ZGJIDHJA – “Të jetë e qartë, Kërkotiç nuk largohet pa marrë atë që meriton. Ai ka luajtur në dy klube këtë sezon dhe nuk mund të endet rrugëve deri në verë, ndaj Kukësi duhet ta rikthejë në ekip deri në fund të kontratës. Përndryshe, nuk shkojmë fare në FSHF, nuk i besojmë fare zgjidhjes atje. Do të shkojmë direkt në FIFA, do të përballemi aty me Kukësin dhe FSHF-në, nëse ata mendojnë se futbollisti nuk është në të drejtën e vet. Duam vetëm drejtësi dhe atë që i takon lojtarit, asgjë më shumë. Nëse flasim për futboll profesionist, le të sillemi si profesionistë”.