Menaxheri i Bardhit: FSHF ka injoruar shqiptarët në Maqedoni!

Në tetor të vitit të shkuar, Meriton Berisha rrëfeu për “Sport Ekspres”: Ju them me bindje të plotë se shqiptarët në Maqedoni e kanë ëndërr të luajnë për Shqipërinë”

Pas arritjes së Maqedonisë U-21 që shkoi në Europianin e moshave vitin e shkuar,  “Sport Ekspres” do të kontaktonte me të gjithë lojtarët shqiptarë që ndihmuan Maqedoninë, mes tyre edhe Enis Bardhi, por ndërkohë intervistoi Meriton Berishën, menaxherin e shkupjanit, që sot është kthyer në një çështje e cila “djeg” dhe mbart një mister.

Përshëndetje, Meriton. Jemi të interesuar të dimë diçka rreth historisë së Enis Bardhit, a ka qenë ai në planet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe nëse po, përse Bardhi tani luan për Maqedoninë?

Përshëndetje. Ju falënderoj për interesimin, sepse ka pasur shumë paqartësi dhe abuzim me këtë çështje, nga njerëz që nuk e dinë të vërtetën. E vërteta është se si për Enis Bardhin, por edhe për shumë lojtarë të talentuar shqiptarë në Maqedoni, nuk është interesuar askush për t’i afruar te Shqipëria. Ky është realiteti dhe me zor futbollistët nuk e marrin dot fanellën e Kombëtares shqiptare. Tani Bardhi luan për Maqedoninë dhe tifozët e duan vërtet shumë, pasi nuk ia kanë harruar atë që bëri në ndeshjen e fundit kualifikuese me U21. Ishte i dëmtuar keqas, por sakrifikoi, luajti me injeksione dhe rrezikoi shumë. Luajti, ishte më i miri në fushë, shënoi edhe një gol dhe Maqedonia shkoi në Europian, ndaj Bardhin e duan shumë në Maqedoni.

A dëshirojnë realisht shqiptarët në Maqedoni, duke nisur nga Enis Bardhi, që të përfaqësojnë Shqipërinë?

Ju them me bindje të plotë se shqiptarët në Maqedoni e kanë ëndërr të luajnë për Shqipërinë. Ju ndoshta nuk e kuptoni, por këtu shqiptarët kanë vuajtur shumë, janë ndjerë gjithmonë të mënjanuar dhe të nënvlerësuar, ndaj i kanë pasur dhe i kanë sytë gjithnjë nga Shqipëria. Edhe Kosova vlen i njëjti diskutim, por të paktën tani Kosova është e pavarur, është në tokën e vet, ndërsa shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të vuajnë, në shumë drejtime. Nëse lojtarëve shqiptarë nga Maqedonia u vjen një ftesë nga FSHF, askush nuk refuzon, përkundrazi, ashtu si Jasir Asani, do ta braktisnin Maqedoninë U21 apo më poshtë. A fajësoni dikë për këtë anashkalim që u bëhet talenteve shqiptarë në Maqedoni? Nuk e di sa i saktë mund të jem në këtë drejtim, por mendoj se FSHF është fajtore në radhë të parë, sepse ky rajon ka dhe ka pasur gjithmonë lojtarë interesantë për Kombëtaren shqiptare. Gjithashtu, edhe Redi Jupi ka faj, pasi ai ka qenë kompetent për këtë punë, me sa kam pasur informacion.

Përmendët Redi Jupin, a është interesuar ai ndonjëherë për Enis Bardhin, duke qenë se ju jeni menaxheri i tij?

Jo, asnjëherë. Përkundrazi, kam qenë unë ai që kam tentuar të kontaktoj me Jupin, me të cilin njihesha nga koha kur luante te Dinamo. Ai iku në Turqi, kur unë shkova te Dinamo për bisedime, por nuk arrita marrëveshjen. i kam shkruajtur nëpërmjet rrjeteve sociale në nëntor të vitit 2013, kur ai ishte shefi i Zyrës së Talenteve, duke i sugjeruar ta provonte Enis Bardhin, që në kohën kur ky luante te të rinjtë e Brondbit në Danimarkë dhe nuk ishte ende pjesë e Maqedonisë U21. Asnjë reagim prej tij dhe më keq akoma, nuk mora asnjë përgjigje, duke më hequr edhe mundësinë që t’i shkruaja sërish.

Bardhi është rast i izoluar, apo ka edhe të tjerë lojtarë që kanë ndjerë zhgënjim nga mospërfillja e FSHF-së?

Jo, nuk është rasti i vetëm. Ka shumë lojtarë që kanë pritur me ankth një kontakt, një ftesë, por asgjë. Kjo ka bërë që edhe besimi te FSHF të humbasë, ndërkohë që çuditërisht këta lojtarë po trajtohen më mirë nga Maqedonia, sesa nga Shqipëria. Maqedonia e ka kuptuar vlerën e tyre, trajneri i Maqedonisë U21 i ka bërë të ndihen si në kombëtaren e vet, duke mos bërë dallime mes shqiptarëve e maqedonasve. Çdo shqiptar ëndërron të luajë për Shqipërinë, por nëse FSHF nuk merret fare me ta, është normale që të zhgënjehen e të luajnë për Maqedoninë. Duhet theksuar edhe diçka: Shqipëria gabon që rend pas lojtarëve të rritur në Zvicër a vende të tjera, sepse atje e kanë të vështirë, ndërsa lojtarët shqiptarë që luajnë në Ballkan e presin me padurim një ftesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *