Memini: Trepça 89’ ka shumë ambicie, ishte koha të provoja diçka të re

Rexhep Memini ka nisur një aventurë të re në Kosovë, pasi tashmë është pjesë e skuadrës së Trepçës 89’. Mbrojtësi durrsak ishte pjesë e Kukësit për më shumë se dy sezone, ku arriti që të fitonte të tre trofetë e mundshme, pasi fitoi Kupën, Superkupën dhe titullin kampion. Memini nuk mori besimin e Milinkoviç në gjysmën e parë të këtij sezoni, duke e shtyrë mbrojtësin të ndryshonte ambient, në mënyrë konsensuale me klubin. Tashmë synon të ketë sukses në kampionatin e Kosovës, i cili është rritur ndjeshëm këtë sezon.

“Sport Ekspres” kontaktoi mbrojtësin, i cili përshëndet ata që i dhanë mundësinë për të treguar veten e tij, duke thënë njëkohësisht se te kampionët ka kaluar një periudhë të bukur: “Siç dihet, tashmë kam nisur një tjetër aventurë në Kosovë, ishte koha të provoja diçka të re. Te Kukësi mund të them se kam kaluar mirë për sa isha pjesë e skuadrës, pasi arrita që të fitojë të gjithë trofetë e mundshëm. Dua të falënderoj të gjithë ata që më dhanë besim, në veçanti trajnerët Klodian Duro dhe Ernest Gjoka. Po ashtu dua të falënderoj tifozët e Kukësit, të cilët më kanë mbështetur. I uroj suksese Kukësit”, thotë fillimisht Memini.

Më pas nuk mund të lërë jashtë fokusit dhe  arsyen se pse zgjodhi Kosovën: “Zgjodha që të transferohem te skuadra e Trepçës, pasi më bindi projekti i klubit. Kam gjetur një klub me ambicie dhe kam besim se me punë do të arrijmë suksese”, përfundon Rexhep Memini.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *