Vllaznia po rezulton skuadra e momentit në Superiore, teksa në 3 javët e para numëron po aq fitore. Një ecuri pozitive që ka zgjuar interesin e të gjithë tifozëve shkodranë, të cilët me zor presin të shohin sërish ekipin e zemrës në majat e futbollit shqiptar. Kuqeblutë i pret nesër një tjetër sfidë e vështirë, ku do të udhëtojnë në transfertë për t’u përballur me Teutën e Edi Martinit.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Brdariç e konsideron përballjen me Tiranën si një kapitull të mbyllur dhe vështrimi është kthyer i gjithi nga e nesërmja. Trajneri kroato-gjerman kërkon fitoren ndaj Teutës, si dhe tregon raportin e mire me Edi Martinin.
TRIUMFI NDAJ TIRANËS –“Kemi marrë shumë përfitime nga ndeshja e fundit. Kemi shumë punë për të bërë dhe duhet të vijojmë me përgatitjet për të bërë mirë. Për ne dhe për zonën e Shkodrës ishte një ndeshje e mirë. Duhet ta dimë sesi do ta përdorim këtë rezultat. Ne e dimë se nga vijmë. Është ndeshja e parë e sezonit jashtë, pas sukseseve dhe kemi shumë pritshmëri. Duhet të vijojmë me këtë atmosferë pozitive dhe askush nuk e priste që të merrnim tre fitore në fillim të sezonit”.
GRUPI –“Fokusi është nesër. Jemi mirë dhe të plotësuar. E dimë se për ne do jetë sfidë e vështirë. Mbyllëm kapitullin me Tiranën dhe të mendojmë për nesër”.
PRESIONI –“Është mirë të ketë tension dhe presion. Është ai që na mban të fokusuar. Duhet të shkojmë te suksesi dhe jo të kemi frikë nga ajo që na pret”.
BARAZIMI? –“Gjithmonë kjo pyetje. Ne jemi të gatshëm të shkojmë për fitore. Është ndeshja parë në transfertë dhe do të flasim pas ndeshjes”.
OBJEKTIVI –“Ne kemi ndërtuar një Vllazni të re dhe nuk jemi të kënaqur me pak. Duhet të vijojmë në këtë rrugë dhe të besojmë se me uri në fushë të luajmë për të fituar. Çdo sukses ka çmimin e vet. Duhet të kemi motivim dhe të rritemi si ekip”.
EDI MARTINI –“Jam në kontakt me të, kam marrëdhënie të mira dhe ai do të ketë sukses te Teuta. Jam këtu të stërvis lojtarët e mi për të fituar”, ka deklaruar Brdariç,/Halit Delibashi-Sport Ekspres/