Partizani dhe Egnatia e kanë mbyllur ndeshjen në një barazim 1-1. Një ndeshje emocionuese, ku Skuka gjen golin e parë në Superiore pas rikthimit. Goli i parë i këtij takimi do të realizohej në minutën e 59, atje ku Spahiu realizoi një kryevepër nga 30 metra.
Goli i barazimit për Partizanin do të vinte në fund nga Skuka, i cili zgjati këmbën dhe kaloi dy mbrojtësit e Egnatias, për ta dërguar topin në rrjetë. Nga krahu tjetër Teuta ka fituar pastër kundër Skënderbeut, 3-0. Pas asaj fitore emocionuese ndaj Tiranës, korçarët dorëzohen pa kushte ndaj durrsakëve me dopietën e Dacit dhe golin e Peposhit. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët kanë dhënë intervistat për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Martini (Teuta): “Pjesa e parë ishte e mirë, shënuam tre gola. Në dhomën e zhveshjes i kërkova lojtarëve të kontrollonin lojën. Edhe në Kupë shënuam, por Skënderbeu na rrezikoi. Më tepër jam i kënaqur që nuk pësuar gol në pjesën e dytë. Sepse ne kemi pasur problem me golat e pësuar. Sot ishte fitore e rëndësishme, pasi na jep moral. Sot ishte meritë, nuk ishte fat. Pjesa e parë na dha qetësi në pjesën e dytë dhe personalitet. Kishim nevojë për këto pikë. Megjithëse e kam thënë dhe vazhdoj ta them që ndeshjet ku kemi humbur, kemi luajtur shumë herë më mirë se sa në këto ndeshje që kemi fituar”/Halit Delibashi-Sport Ekspres/