“Me një trajner tjetër do ishim 10 pikë para”, Dosti kundër Kolelës: Kur thotë trajneri nuk e vr.asim dot kampionatin, atëherë për çfarë flasim?

Edmond Dosti ishte i pranishëm në një lidhje paralele me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”. Ish-sulmuesi i njohur i Partizanit ka shprehur pakënaqësinë tij për trajnerin e të kuqve. Dosti është i mendimit se Partizani do të ishte i shkëputur me diferencë pikësh në krye të renditjes me një trajner tjetër. Ikona e klubit kryeqytetas kritikon Kolelën edhe për mënyrën se si po trajton një lider si Alban Hoxha.

“Partizani me një trajner tjetër do të ishte sot 10 pikë përpara, duke parë se sa gabime ka bërë dhe sa herë që ka bërë gabime i njëjti trajner thotë: ‘Ishin gabimet e mia’. Nuk mund të humbësh një derbi kur je me një lojtar mangët dhe me një lojë që duhet ta kishte fituar. Por gjithashtu edhe me ndeshjen me Erzenin, duke udhëhequr deri në minutën e 102-të 3-1 për ne dhe të barazohet ndeshja. Nuk kam gjë personale me atë si trajner. Por më duket trajneri jo i duhur për Partizanin. Ky është mendimi im personal dhe i qendroj kësaj.

Nuk gënjejnë pikët, por edhe ekipet e tjera kanë bërë gabime, kanë bërë rrëshqitje. Prandaj jemi aty ku jemi. Kur dëgjoj trajneri që thotë se nuk kemi ekip për të dalë kampion, atëherë për çfarë flasim ne. Partizani është ekip që çdo vit është i ndërtuar për të dalë kampion. Kur njeriu kryesor thotë që nuk kemi ekip për të vr.arë kampionatin, atëherë për çfarë flasim ne? Nuk e di çfarë autoriteti ka te lojtarët, por më duket një trajner që nuk e lexon dot lojën. Nuk është një trajner që merr vendimet e duhura në momentin e duhur.

Partizanit për të dalë kampion i duhet një lider dhe kjo gjë Partizanit i mungon. Nuk më pëlqeu edhe debati që bërë me Ledion (Panon), m’u duk shumë arrogant. Është mendimi i tij personal, por duhet të dijë që Alban Hoxha është kapiteni i Partizanit dhe duhet trajtuar në mënyrë tjetër. Edhe unë jam dakort që dikur Alban Hoxha do të tërhiqet, do t’i jepet mundësia të rinjve. Por jo në këtë mënyrë, sepse me një lider si Alban Hoxha Partizani do të jetë akoma edhe më mirë. Frikë nga Tirana? Nuk kemi frikë ne Tiranën. I duhen shumë jetë të vijë të na barazojë me sa fitore që kemi ne me ata“, ka deklaruar Edmond Dosti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *