IRAN – SPANJË 0-1
Shënues: Diego Kosta 53′
MBYLLET! FITON SPANJA!
70′ ÇFARË RRËMUJË NË ZONËN E IRANIT! Skemë e veçantë e Spanjës nga goditja e këndit, Pikë afër vijës fatale, rrëmujë me 10 lojtarë te topi, por në fund ka faull dhe Spanja nuk shënon dot.
62′ GOL IRANI! JO, POZICION JASHTË LOJE! Sa i pafat Irani, që festoi pa fund, por autori i golit Ezatolahi ishte pozicion jashtë loje.
53′ GOL SPANJA! Diego Kosta duket se ka garë personale me Kristiano Ronaldon. Edhe sot spanjolli gjen golin dhe zhbllokon Spanjën, me vuajtje. Gol me fat, sepse erdhi nga një karambol në zonë, por Spanja e kërkonte golin me ngulm dhe herët a vonë do ndodhë diçka.
PJESA E PARË – Pritej dominim spanjoll, erdhi, por goli jo. 45 minuta thuajse në portën iraniane nuk kanë mjaftuar, Keiroz ka ndërtuar një mur dhe Spanja vazhdon me të njëjtën skemë, duke tentuar me pasime pa fund dhe asnjë gjuajtje nga distanca. Në pjesën e dytë Hierro duhet të ndryshojë diçka, sepse çdo minutë që kalon fuqizon Iranin befasues, skuadër që ka ringjallur katenaçon e viteve ’80.
40′ Muri iranian reziston. Spanja sulmon pa e pasur ende idenë si të shënojë dhe shpesh në zonë janë 7 ose 8 lojtarë.
30′ Mungesa e golit po streson Spanjën, we praktikisht tenton me kot të çajë murin iranian. Edhe ndonjë rast i krijuar, shpërdorohet nga sulmi.
20′ Dominim total i Spanjës, por me skemën e zakonshme, pasime pa fund e pak raste në zonë. Irani është i tëri në mbrojtje dhe synim re vetëm ka të zvarritë ndeshjen sa më gjatë.
1′ NIS NDESHJA
PIKE MBUSH 100 NDESHJE MË KOMBËTAREN
Në grupin B të Kupës së Botës kryesimin e ka marrë për momentin Portugalia, ndjekur nga Irani befasues. Ashtu si pritej, skuadra e drejtuar nga Keiroz luajti një ndeshje krejtësisht mbrojtëse ndaj Marokut javën e shkuar dhe në fundin e takimit ishte me fat, sepse Maroku shënoi në portën e vet.
Gjithsesi, u pa qartë që Irani ka një ekip të dobët dhe kundër Spanjës shanset për pikë janë tepër të vogla. Spanja shkëlqeu ndaj Portugalisë, edhe pse nuk fitoi për shkak se Kristiano Ronaldo ishte fenomenal.
Në 8 nga 9 ndeshjet e fundit për Kupën e Botës mes kualifikueseve dhe turneut final Spanja ka shënuar gjithnjë të paktën 2 gola për takim dhe nuk njeh humbje, ndaj ecuria e shkëlqyer e Iranit, që nuk ka pësuar gol në 13 nga 14 ndeshjet e fundit për Kupën e Botës pritet të marrë fund sot, në një sfidë ku Irani ka shumë pak gjasa ta gjejë golin.