Erion Sadiku zgjodhi që të linte Suedinë dhe ekipin e Varbergs, për të nënshkruar një kontratë për 2 vite e gjysmë me Genoan. Fillimisht mesfushori shqiptar u bashkua me ekipin U-19 për të dhënë kontributin e tij.
Nëse do të ketë paraqitjet e duhura do të hapet edhe hapësira për të qenë pjesë e Serisë A. Ky është qëllimi i vetëm për mesfushorin 19-vjeçar që në kokën e tij mendon vetëm për këtë ditë.
“Largimi nga Suedia ishte një rrezik që duhet të ndërmerrej. Dera u hap te Genoa dhe nëse do të bëjë mirë te U-19, atëherë shkoj në ekipin e parë. Pastaj janë ekipe të tjera italiane dhe në Europë që mund të më marrin.
Tek U-19 vijnë lojtarë që kanë luajtur me ekipin e parë dhe ata futbollistë që janë dëmtuar, duke u rikuperuar me disa ndeshje tek të rinjtë. Mund të fitoj shumë prej tyre. Kam firmosur kontratën për 2 vite e gjysmë, por jo që të qëndrojë për 2 vite e gjysmë te U-19.
Ishte një bast 50 me 50. Kam lënë familjen dhe miqtë e mi në Suedi. Ambientimi? Kam edhe një futbollist tjetër këtu, Elmando Gjinin që po më ndihmon shumë. Jam duke pritur që të marrë një apartament dhe të sjell edhe të dashurën time në Itali. Pastaj do ta kem shumë më të lehtë”, ka thënë Sadiku.
Aktualisht futbollisti numëron një grumbullim me Kosovën U-21 në përballjen me Anglinë, megjithëse nuk do të aktivizohej nga trajneri Shaland. Por për herë të parë Erion Sadiku tregon se ka marrë një ftesë edhe nga Shqipëria për përballjen me Turqinë, të cilën e ka refuzuar pasi ishte i dëmtuar.
“Më ka thirrur Kosova U-21 në përballjen kundër Anglisë. Ishte për herë të parë që unë zgjidhesha dhe kam qëndruar në stol. Pastaj jam përzgjedhur edhe për ndeshjen Turqi-Shqipëri, por u dëmtova dhe nuk munda të shkoja dot atje. Tani do të luhen ndeshjet e marsit dhe siç duket, do të më zgjedhin. Nuk kam qenë më parë pjesë e Suedisë, por e kam pasur edhe këtë plan. Prindërit e mi janë nga Kosova dhe e dua këtë vend, kam qenë aty në çdo vit që fëmijë. Por futbollit nuk i dihet, unë mund të luaj me Kosovën, Suedinë dhe Shqipërinë”, u shpreh Sadiku. /Sport Ekspres/