Anton Cicani
Festimi me shqiponjë e Shaqirit dhe Xhakës nga ana e FIFA-s është një tjetër akt i ulët dhe sidomos “parahistorik”, nëse mund të quhet kështu, nga organi më i lartë i drejtimit të futbollit në botë. Presidenti Xhani Infantino, ndoshta, fëmijërinë e tij e ka kaluar mjaft mirë dhe në shtëpinë e tij nuk kanë shpërthyer bomba, familjarët nuk ia kanë vrarë dhe sidomos nuk është detyruar të lërë shtëpinë, tokën e tij dhe pasurinë, për të emigruar dhe për t’iu larguar terrorit.
Ndaj, kur sheh disa plehra me fanellën e gjeneralit famëkeq dhe kriminel, Ratko Mladiç që qëndrojnë në një tribunë të stadiumit “Kaliningrad Stadium”, duke ndjekur Serbi-Zvicër, i duket normale… Por, nuk i duket normale FIFA-s kur dy futbollistë që shënojnë festojnë me simbolin e origjinës së tyre, gjakut të tyre, pra shqiponjën dykrenore. Nuk i duket as komisionit normale që dy shqiptarë festojnë si… shqiptarë.
Dhe nëse Zvicra ia lejon këtë gjë, atëherë pse duhet të indinjohet FIFA. Nuanca politike? Karagjozllëk, asgjë më shumë! Dy djem të shkëlqyer, atdhetarë dhe sidomos të lidhur me rrënjët e tyre, kanë të drejtën të festojnë si të duan, deri kur nuk cënojnë njeri. E bëri edhe kapiteni Stefan Lihtshtajner, apo edhe ai ka lindur në Kosovë?
Por, duke iu rikthyer fotografisë famëkeqe të tifozëve serb me fanellën e portretit të “Arkanit”, pyetja është: si u futën në stadium këta njerëz? Apo, meqë jemi në Rusi, që mbështet Serbinë dhe që nuk pranon Pavarësinë e Kosovës, i lejohet gjithçka. Atëherë, FIFA ose është “qorre”, ose një institucion që ule pantallonat përballë pushtetit, mjafton që ekonomia mos t’i preket.