Me ëndrra të shumta dhe Ronaldon si frymëzim, Dario Daka rrëfen rrugëtimin e tij

Dario Daka është një nga të rinjtë e talentuar shqiptarë, që po rriten në futbollin italian. I riu, i cili ka mbushur në janar 18 vjeç, luan rregullisht me skuadrën e 19-vjeçarëve të Lecce dhe është në rrethin e lojtarëve të Shqipërisë U-19. I riu është ftuar më parë nga Ardi Behari te Shqipëria U-18 dhe emocionet i ka pasur të mëdha, sikurse edhe e rrëfen në rubrikën “Talenti shqiptar” për fshf.org. Daka, i cili luan si sulmues i djathtë, na tregon se si i hodhi hapat e parë në futboll, mbështetjen që ka pasur nga babai, kush janë lojtarët që e motivojnë dhe cili është objektivi kryesor që ai mendon.

– Dario, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

-Lidhja ime me futbollin ka nisur kur isha i vogël, 4 ose 5 vjeç. Njeriu që më ka shtyrë drejt këtij sporti është babai. Ai është i apasionuar pas futbollit. Nuk ka luajtur futboll profesionist, por më ka treguar që kur ishte i ri i pëlqente të luante futboll dhe e ndjek shumë këtë sport.

– Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

-Kam pasur shumë shokë që luanim futboll gjithë ditën, kur isha 7-8 vjeç, dhe në mendjen time doja të mundja lojtarë që ishin 14 vjeç. Ata ishin më të fortë se unë, por në mendjen time thoja se do ia arrij të jem më i mirë se ata.

– Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

-Personi që më këshillon dhe më qëndron më afër në futboll është babai. Edhe xhaxhai im, gjithashtu.

– Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U17? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?

-Kur kam mësuar për herë të parë për ftesën nga Shqipëria, kam qenë shumë i emocionuar dhe i lumtur. Gjëja e parë që kujtoj nga grumbullimi, është trajneri Reja dhe stafi që po na shikonin. Më kujtohet që na thanë se do u besojnë shumë lojtarëve të rinj dhe ajo ishte diçka shumë pozitive.

– Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?

– Arritja për të cilën jam krenar për momentin, është fakti që po luaj në kategorinë më të fortë të futbollit italian për moshat. Është si Serie A për të rinjtë.

– Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?

– Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është Armando Broja. Ai është lojtar shumë i ri, por po i tregon gjithë Anglisë dhe gjithë botës që edhe pse është 20 vjeç, është një lojtar shumë i fortë dhe profesionist. Nga të huajt, ai që më motivon është Cristiano Ronaldo. Më pëlqen shumë për profesionalizmin në fushë dhe jashtë saj.

– Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A dhe Serie B. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?

– Unë jam krenar kur shoh që shumë shqiptarë po luajnë në Serie A dhe Serie B. Ndjehem shumë mirë për këtë gjë, pasi tregon që ka shumë besim te lojtarët shqiptarë. Shpresoj të bashkohem edhe unë me ata sa më shpejt.

– Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të mirë përpara?

– Mendoj se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur, pasi të gjithë lojtarët e kombëtares luajnë në kampionatet më të forta në Europë. Kjo është diçka shumë e bukur dhe e rrit nivelin e kombëtares.

– Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Ka një futbollist në gjurmët e të cilit do të donit të ecnit?

– Objektivi im më i madh në futboll është që të luaj në një nga pesë kampionatet më të forta të Europës. Kjo është ajo që dua të arrij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *