Një histori e mbyllur duket ajo e largimit të Sherif Kallakut nga Teuta. Të paktën për merkaton e janarit, ndërsa futbollisti me shumë kualitet, tregon edhe një besnikëri të madhe ndaj durrsakëve. Shumë ekipe e kërkojnë në Shqipëri, por përgjigjen e kanë të qartë: “Këtu nuk luaj për një asnjë ekip tjetër përveç Teutës”.
Nga ana tjetër është trajneri Edi Martini që “fërkon duart”, pasi mban në këtë mënyrë një futbollist që bën diferencën në kampionatin shqiptar. Në një intervistë për “Supersport”, Kallaku shprehet hapur se nuk do të largohet nga Teuta.
“Sinqerisht në këtë fazë që jam tani, kam shprehur dëshirën për të provuar veten në një kampionat tjetër. Por tani e kam ndryshuar atë mendim dhe kam shprehur dëshirën për të qendruar te Teuta dhe pse jo, për të provuar titullin kampion.
Realisht nuk jam edhe shumë i kënaqur me veten, pasi nuk kam dhënë ende 100% tim. Shpresoj që të rris cilësinë në dy fazat e tjera. Do kishim pikë më shumë, duke marrë parasysh edhe disa gabime të pafalshme. Megjithatë kemi ende kohë, pasi kampionati ynë ka treguar se nuk ka shumë diferenca”, ka thënë Kallaku. /Sport Ekspres/