Mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ja vendimet që u morën

U zhvilluan ditën e sotme punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ku u diskutuan dhe u morën vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike për këtë qark sportiv i cili përfshin bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë, Dropull, Sarandë, Konispol, Finiq dhe Delvinë.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 7 anëtarë të shoqatës të përfaqësuar nga 8 delegatë, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2024, miratimin e rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025, miratimin e statutit të ri si edhe ndryshimin e adresës së selisë së SHRFGJ-së. Gjithashtu u ngritën edhe disa probleme konkrete që janë prezent në këto bashki, si ai i shpopullimit të zonës.

I pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, ishte edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përshëndeti punimet e Asamblesë dhe i garantoi anëtarët e SHRFGJ-së se Federata Shqiptare e Futbollit do t’i mbështesë gjithmonë me projekte konkrete, për të ndihmuar sa më shumë në zhvillimin e futbollit.

“Ajo që ne kemi udhëzuar dhe duam të jetë si strategji në të gjithë Shqipërinë është bashkëpunimi dhe bashkërendimi i punës së akademive. Më të mirët të jenë në rrugën e profesionalizmit dhe akademitë të kenë si objektiv masivitetin. Suksesi i qëndrueshëm është organizimi i shtëpisë, organizimi i familjes, organizimi i asaj që ne kemi të përbashkët. Me këtë formë organizative, me shoqata rajonale, klube profesioniste, me baraspeshë mes tyre dhe me shoqatat e profesioneve të lidhura me futbollin.

Ne kemi vazhduar projekte dhe kemi qenë të suksesshëm me projektet në të gjithë Shqipërinë, me projektet e futbollit në shkolla, me programin “playmakers” e disa projekte të tjera. Kemi vazhduar projektin dhe në shoqatën e Gjirokastrës, me projektin ‘Topi Yt’ i cili është në edicionin e tetë, apo projekti ‘Uniforma ime’. Viti 2023 për futbollin shqiptar ka qenë një vit i suksesshëm për numrin rekord të historisë së futbollistëve, vajza dhe djem të regjistruar në Federatën Shqiptare të Futbollit”- tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *