Presidenti i korçarëve ka takuar futbollistët pas humbjes me Luftëtarin: Nuk dua të përsëritet më ajo lojë dhe ai rezultat, ishit për turp!
Leonard Trebicka
U duke se gjithçka pas asaj humbjeje në Gjirokastër do të kalonte në qetësi, por jo. Presidenti Takaj ka thirrur dje në mbrëmje në një mbledhje urgjente futbollistët dhe stafin teknik. Pas humbjes me Luftëtarin ai nuk ishte shfaqur në asnjë moment pranë skuadrës, pasi ishte mjaft i mërzitur. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se dje Takaj ka pasur së pari një takim “kokë më kokë” me trajnerin Ilir Daja. Numri 1 i klubit korçar ka kërkuar të mësojë gjendjen e skuadrës dhe se çfarë defektesh kishte konstatuar trajneri Daja nga humbja e fundit. Takimi mes tyre mësohet se ka zgjatur më shumë se dy orë, kurse në mbrëmje ishte radha e futbollistëve, të cilët rreth orës 19:00 i janë drejtuar sallës së konferencave për shtyp në resortin Tropikal. Një takim i bërë një ditë përpara ndeshjes ndaj Teutës në Kupë, duke treguar qartë se presidenti Takaj pret reagim të shpejtë. Ai nuk ka mundur ta gëlltisë atë humbje, edhe pse skuadra mbetet e shkëputur në vend të parë. Por bosi i Skënderbeut është dukur i qetë në këtë takim, ndoshta nga që kishin kaluar disa ditë dhe inati i kishte rënë. Ai u ka lënë disa detyra të tijve dhe ata duhet ti plotësojnë patjetër.
TAKIMI – Në orën 19:00, para se të darkonin, lojtarët e Skënderbeut kanë zënë vend në sallën e konferencave dhe më pas aty ka shkuar presidenti Takaj, së bashku me drejtues të tjerë të klubit. Nuk e di sa e keni ndjerë ju atë humbje të fundit në Gjirokastër, por ka qenë humbja më e hidhur. Jo për pikët që lamë, por për mënyrën se u paraqitët në fushë. Jam menduar shumë këto ditë dhe ajo lojë që pashë në Gjirokastër, nuk dua të përsëritet. Ishit të gjithë për turp dhe për këtë më vjen keq që e them. Vinit nga një minifazë model në Turqi, por nuk e justifikuat aspak. Nëse do tu kisha takuar pas humbjes, do të kisha marrë masa të ashpra. Tani po ua them përballë se, nëse ajo loja përsëritet, nuk do të kursej asnjë, do të ketë masa. Skënderbeu mbylli një vit të artë dhe nuk mund ta fillonte në këtë mënyrë 2018-ën. Ndaj Teutës dua reagimin tuaj, res që kthesa të jetë e menjëhershme. Tani e keni ju në dorë ndryshimin e situatës. Besimi nga ana ime është i madh, por këtë besim dua që ju ta shpërbleni. Të gjithë bashkë do të kthejmë Skënderbeun e madh. E kam bërë detyrën time, tani është radha tuaj, – mësohet tu jetë drejtuar presidenti Takaj lojtarëve në mbledhjen e djeshme në Durrës.
LOJTARËT – Takaj ka folur thuajse gjatë gjithë këtij takimi, që zgjati rreth një orë. Pas tij kanë folur disa prej titullarëve të Skënderbeut, të cilët kanë thënë se ishte vetëm një ditë e keqe ajo në Gjirokastër. Po ashtu, futbollistët kanë premtuar se nga ndeshja e sotme ndaj Teutës do të vijë kthesa dhe se Skënderbeu do të tregojë vlerat më të mira. Nëse do të kemi një Gjirokastër të dytë, do të ketë masa te korçarët, të cilët duhet të reflektojnë nga sot e në vazhdim.