Mërgim Mavraj, në një intervistë të dhënë për “Top Channel”, për emisionin “Procesi Sportiv”, ka folur pas humbjes me Ukrainën për gazetarit Endi Tufa, duke nënvizuar praktikisht atë që të gjithë janë duke parë. Mbrojtësi i Hamburgut nuk është fshehur: “Ne si lojtarë kemi për detyrë të tregojmë në fushë vlerat tona. Nuk po funksionojmë në fushë. Ende nuk po bëhen gjërat ashtu si duhet. Në pjesën e parë, skema nuk po funksiononte. Duhet të bëjmë lojë ndryshe, mos të sulmojmë më shumë, sepse krijojmë hapësira për kundërshtarët, në kundërsulm dhe jo vetëm. Ndryshoi sistemi dhe lojtarët. Shumë ndryshime. Ne gabojmë nëse krahasojmë këto paraqitje me ato të përpara katër vjetësh. Gjërat kanë ndryshuar, puna, skuadra, lojtarët, filozofia. Mënyra e lojës tonë. Edhe kërkesa e tifozëve tani është ndryshe. Duan më shumë, presin më shumë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që tifozët të na kritikojnë, edhe pse na përkrahën. Deri diku i kuptoj, vështirë të përkrahin një ekip që pëson tre gola që në pjesë të parë. i kuptoj plotësisht”.