Aventura e Mërgim Mavrajt te Hamburgu është mbyllur pas më shumë se një sezoni, pasi mbrojtësi, që u përjashtua nga ekipi në javët e fundit, duke u dërguar të stërvitet me të rinjtë dhe duke mos e parë më fushën e blertë, do të largohet. Dhe, sipas “Vip Sport”, bëhet fjalë për një skuadër në Arabinë Saudite që ka ofruar një shumë marramendëse për kuqeziun. E kërkon Al-Etifaq FC. Madje, bisedimet kanë hyrë në fazat e nxehta dhe, brenda pak ditësh, mund të vijë edhe fundi i lumtur, ose akordi. Mavraj ndodhet në Kosovë me pushime, por agjenti i tij është duke punuar për të gjetur gjuhën e përbashkët, ndërsa duhet gjetur edhe një kompromis me Hamburgun.
Por, kush është skuadra Al-Etifaq? Eshtë një skuadër e cila dikur ishte ndër më të njohurat në Arabinë Saudite, duke fituar trofetë më të rëndësishëm në vend e rajon, por prej rreth 2 dekadash nuk ka mbyllur sezonin me trofe. Por klubi që mbylli kampionatin në vendin e katërt, kërkon të kthehet te lavdia e dikurshme dhe Mavraj bën pjesë në planin për përforcimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.
Mavraj ka pasur edhe sondazhe nga Turqia, por që nuk është ofruar ajo që të paktën ekonomikisht mbrojtësit pretendonte dhe kanë qenë klube të mesit të tabelës. Pengu më i madh i tij mbetet refuzimi që i bëri Beshiktashit një vit më parë, kur iu ofruar një super kontratë. Sakaq, rroga e Mavraj prej gati 1,5 milionë eurosh në sezon te Hamburgu nuk mund të mbështetet nga klubi, që në Bundesligën 2 do të bëjë spastrim dhe do ta nisë nga të rinjtë. Hamburgu do të kërkojë nga arabët një shifër modeste për kartonin, rreth 500-600 mijë euro për mbrojtësin.