Teuta ka dhënë shenja pozitive me ndryshimin e trajnerit. Martini duket se e di çelësin e suksesit për skuadrën durrsake, me të cilën arriti të mposhtte Egnatian ditën e sotme. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Ora Sport” në “Ora Neës” ka folur autori i golit në përballjen me rrogozhinasit. Realdo Fili ka treguar ndryshimin që ka sjellë Martini në skuadër dhe shpalos hapur objektivin se Teuta këtë sezon kërkon të jetë në top katërshen e “Abissnet Superiore”-s, e cila më pas do të luftojë për titullin kampion.
“Momentalisht kam filluar të përshtatem. Fillimi nuk ka qenë shumë i vështirë. Gjërat janë ashtu siç i kam lënë, por me disa përmirësime. Objektivi u bë i qartë nga Edi Martini. Shikojmë edhe forcën e ekipeve të tjera, mund të them që objektivi jonë është ‘final four’. Martini apo Longo? Nuk mund ta them një. Martini është ilaçi i këtij ekipi. Është një atmosferë komplet ndryshe që prej ditës së parë që ka ardhur. Le ta shfrytëzojmë këtë eksperiencë të Martinit. Unë me presidentin kam pasur një marrëveshje xhentëllmenësh.
Unë kam pasur nevojë për një platformë që të shfaqja formën dhe vlerat e mia. Në skuadra si Tirana dhe Partizani dihet që presioni është i lartë, lojtarët janë të përgatitur. Unë kisha nevojë që të hyja direkt në një ritëm me ekipin dhe Teuta është ambienti më perfekt. Ambienti është i qetë, punohet shumë mirë. Është një mundësi shumë e mirë që unë të rikthehem dhe të marr formën më të mirë. Por edhe të ndihmoj ekipin.
Diferencat me Rumaninë? Niveli është më i lartë. Lojtarët janë më të përgatitur, paguhen më shumë, stërviten ndryshe, regjimin e kanë ndryshe. Por nuk do të thotë që ne që kemi këto kushte këtu nuk mund të shkojmë jashtë. Sa më shumë lojtarë të provojnë veten jashtë, të mos kenë kufij te forma, apo cilësitë e tyre“, ka thënë Realdo Fili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/