Gjithmonë i drejtpërdrejtë. Diego Armando Maradona nuk i ka kursyer kritikat për trajnerin Horge Sampaoli një ditë pas barazimit me Islandën. Pas ndeshjes ai u duk më i përmbajtur dhe tha se në Botërorin e 1990-ës Argjentina e kishte humbur ndeshjen e parë, kështu që nuk ishte tragjedi, por një ditë më pas duket se ka ndërruar mendje. Maradona ka shigjetuar ashpër trajnerin e Argjentinës për vetë faktin se në ndeshjen me Islandën skuadra tregoi se ka më shumë se një problem.
Kritikat priteshin në fakt, duke ditur që mes Maradonës dhe Sampaolit marrëdhëniet nuk kanë qenë asnjëherë të mira. Tani që loja e Argjentinës lë për të dëshiruar, kritikat janë më të mëdha nga “El Pibe de Oro”. Për Mesin ai ka qenë më i përmbajtur në komentet e tij, ndërsa për njeriun që komandon skuadrën është treguar shumë i ashpër, duke lëshuar edhe një “kërcënim” për të: “nëse vazhdojmë kështu, me këtë lojë, mendoj se Sampaoli nuk do të shkelë më kurrë në Argjentinë. Dhe do të jetë e turpshme që nuk ka një dreq skemë loje.
E çuditshme! Duke e ditur që islandezët janë nga një metër e 90 centimetra, ne kërkojmë të shënojmë me kokë nga goditjet e këndit, duke krosuar në zonë. Nuk kemi mundësi ta luajmë topin shkurt dhe nuk është faji i lojtarëve, por kjo vjen për faktin se është punuar pak. Besoj se gjithçka u pa qartë. Mund të kesh edhe 25 trajnerë, por nuk mjafton. Duhet të punosh shumë. Kemi parë se Islanda ka punuar shumë më shumë se Argjentina dhe kjo gjë më trishton shumë”, – ka theksuar Maradona.
SULMI-OPTIMIZMI – Pavarësisht gjithë kësaj situate, Maradona ka lëshuar edhe një sinjal optimizmi, por kërkon që sulmi të jetë më i qartë: “Kur fitohet, humbet, apo barazohet, jemi gjithmonë 11. Por edhe duhet parë si fitohet, si humbet dhe si barazohet në një ndeshje të caktuar. Dhe rrezikojmë të humbasim në ndeshjet e ardhshme. Kemi shumë probleme, por të shohim përpara, duke besuar në Zot dhe në faktin se mund të përmirësohemi.
E dinim që Islanda do të mbyllej prapa, siç ndodhi realisht. Por nuk ditëm si t’i zgjidhnim situatat që na u krijuan. Argjentina nuk dinte si të sulmonte dhe ky është një problem serioz.