Maradona: Jam më i gjallë se kurrë, u thanë gënjeshtra për gjendjen time

Nëntëdhjetë minuta intensive, të përjetuara si protagonist në tribunën VIP. Një spektakël i vërtetë ai i dhuruar nga Diego Armando Maradona në triumfin dramatik të Argjentinës përballë Nigerisë.

Në fillim festa e papërmbajtshme për golin e avantazhit të Leo Messit, më pas tensioni për një ndeshje që u komplikua dhe në fund gjesti që shkaktoi polemika në golin e Rojo-s dhe problemet shëndetësore gjatë sfidës shumë të vuajtur, ku u nevojit edhe ndërhyrja e mjekëve.

Pas asaj mbrëmje të çmendur, “Pibe de Oro” iu rikthye normalitetit, duke u shfaqur në programin “La Mano del Diez”, (Dora e Dhjetës) në televizionin Telesur, ku i siguroi të gjithë se është mirë. “Dua ti bëj të ditur të gjithëve se jam më i gjallë se kurrë”, këto ishin fjalët e Diego Armando Maradonës, që gjithashtu sulmoi të gjithë ata që shpendanë lajme të rremë për shëndetin e tij.

“Folën për barrela dhe ambulanca. Në internet qarkulluan gënjeshtra të pakuptimta. E kuptoj zilinë, por është e papranueshme të thuhen gënjeshtra”, deklaroi legjenda argjentinase. Duke folur për temat e Botërorit në Rusi, Maradona nuk i kurseu komplimentat për Meksikën duke e cilësuar si “skuadrën që i dha gjallëri turneut”, që arriti “të kthente me këmbë në tokë Gjermaninë” dhe absolutisht që e meritoi kualifkimin në fazën e 1/8.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *