Roberto Mançini ka pasur gjithnjë një marrëdhënie të veçantë me Mario Balotelin dhe nëpërmjet revistës GQ ka thënë sërish fjalë të mira për sulmuesin: “Kam një dobësi për të, por kthimi në kombëtare është i motivuar vetëm në aspektin futbollistit. Mario është vetëm 28 vjeç, ndaj ka ende kohë për të arritur gjithçka që dëshiron, sepse tashmë ka edhe eksperiencën në favor, duke u rritur në çdo drejtim. Duke qenë se Kombëtarja do të humbasë me kalimin e kohës boshtin që na ka udhëhequr deri te dështimi ndaj Suedisë, Italisë i duhen liderë të rinj. Mario ka moshën dhe besueshmërinë teknike për ta bërë dhe për fat nuk është i vetmi”.
Edhe Federiko Kieza është një futbollist i së ardhmes: “Herë pas here rri dhe e vëzhgoj, sepse më duket sikur kthehem pas në kohë. Ai është njësoj si i ati Enriko, të njëjtat finte, i njëjti përshpejtim, një gjuajtje shumë e ngjashme. Këtë vit ka shënuar pak në krahasim me potencialin që ka, por është talenti klasik që mund të shpërthejë në çdo moment dhe unë këtë gjë pres”.
Mançini flet edhe për të shkuarën e tij problematike në lidhje me Kombëtaren, duke mbetur edhe jashtë Botërorit, si në vitin 1986, ashtu edhe në 1994: “Trajneri Bearzot më la jashtë në vitin 1986 sepse nuk kërkova falje për një natë të shfrenuar në Manhatan, Saki më l;a jashtë në 1994 sepse kisha vendosur të mos shkoja në kombëtare, ndërsa në 1990 Viçini më mori, por nuk luajta kurrë. Si pasojë, nuk kam luajtur asnjë minutë në Botëror dhe më duket një absurditet që për pjesën më të madhe faji është i imi”.
Po si trajner? “Tani mendoj të kualifikohem për Europianin dhe më pas të paraqitemi shumë mirë, sepse unë luaj gjithnjë për fitore. Megjithatë, e pranoj se ideja e Botërorit, duke parë precedentët, më zien që tani në kokë. Dua të kompensoj atë që kam humbur”.