Malindi: Kastrioti ka komandën, sot vetëm tre pikët

Mesfushori me tipare sulmuese: Lezhjanët gjithmonë kanë pretendime, por ne sot tregojmë se jo më kot jemi më të mirët

Bujar Balliu

Dikur ka qenë një talent në Superiore, ndërsa ka provuar që të luaj edhe jashtë vendit apo në skuadra të njohura të elitës. Verën e shkuar u bë pjesë e skuadrës krutane, aty ku është një nga lojtarët më të spikatur. Sot, Kastrioti do të luajë një ndeshje delikate në Lezhë dhe Malindi është optimist se do të kalohet me 3 pikët.

OPTIMIZMI – “Ndeshja e sotme ndaj Besëlidhjes është mjaft e vështirë, mirëpo ne do të bëjmë të pamundurën për ta fituar”, – kështu e nis prononcimin e tij për “Sport Ekspres” mesfushori me tipare sulmuese i krutanëve Enco Malindi, i cili shton: “Kemi zhvilluar një gjysmë sezoni të mrekullueshëm, dhe jo më kot jemi në krye të grupit të shkëputur me 12 pikë nga vendi i dytë. Nëse duam të vazhdojmë me rezultate pozitive, duhet të bëjmë gjithçka që të dalim fitues në çdo ndeshje, dhe siç e theksova më lart, duhet të bëjmë gjithçka që të marrim fitoren e radhës edhe në përballjen me Besëlidhjen. Lezhjanët kanë një skuadër të bukur, e cila për vite të tëra i kanë dhënë tonin Kategorisë së Parë, mirëpo këtë sezon jemi ne ato që e kemi bërë një gjë të tillë”.

OBJEKTIVI – Malindi, duke mbyllur prononcimin foli jo vetëm për synimin që ka skuadra në ndeshjen e sotme, por edhe në vijim duke thënë: “Kastrioti ka një grup lojtarësh mjaft të talentuar që kanë dhënë kontribut edhe në Superiore. Synimet janë të qarta, ne kudo hyjmë me një synim të vetëm, tri pikët e radhës”, – deklaroi Malindi për gazetën. Sakaq, në këtë përballje skuadra do të jetë e plotë, pasi rikthehet edhe mesfushori Çutra dhe mbrojtësi Husein.
Formacioni i mundshëm: Kuka, Lilaj, Lila, Çela, Hoxha, Mziu, Çutra, Karakaçi, Boci, Malindi, Marku. Trajner: S. Nikaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *