Anglezi qëndron sipas kontratës edhe një sezon tjetër te skuadra e Tiranës. Do të udhëheqë bardheblutë në Superiore. Firma do të hidhet në ditët në vazhdim
Olsi Avdiaj
Tirana ka rënë parimisht dakord që të zgjasë kontratën edhe për një vit me lojtarin bardheblu nga Anglia, Majkëll Ngo. Sulmuesi shtatlartë ka pranuar që të jetë pjesë e bardhebluve edhe këtë sezon, ndonëse akoma nuk ka firmosur kontratën. Është klubi Tirana që bën me dije një fakt të tillë, me anë të një njoftimi për shtyp. Majkëll Ngo do të jetë pjesë e Tiranës edhe për një tjetër sezon. Sulmuesi ka rigjetur akordin për të vijuar bashkëpunimin.
Gjithashtu është rënë dakord për të rinovuar sërish në një të ardhme shumë të afërt. Sulmuesi anglez është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën bardheblu. Pas Ngosë, te tjera zhvillime konkrete po bëhen gati për skuadrën Superiore, thuhet në njoftimin e klubit.
Në parim, klubi e lojtari janë dakord që futbollisti të qëndrojë edhe një sezon bardheblu. Në adresë të anglezit kanë ardhur edhe disa oferta prej klubesh të ndryshme, kryesisht nga Lindja, që mund ti prishnin mendjen si Tiranës dhe vetë lojtarit të braktiste Shqipërinë. Edhe pse është arritur marrëveshja, lojtari duhet të firmosë një kontratë të re. Kujtojmë që Majkëll Ngo ishte mbreti i merkatos në Turqi, gjatë fazës përgatitore të janarit. Tre skuadra u interesuan për shërbimet e sulmuesit shqiptar. Futbollisti bardheblu ka qenë gjahu i menaxherëve, që kanë qarkulluar këto kohë rreth Tiranës. Në krye ishte SKA-Khabarovsku, kundërshtari i bardhebluve në miqësoren e dytë në Antalia. Në atë sfidë ra në sy lojtari anglez, i cili është pëlqyer shumë nga trajneri i rusëve.
Presidenti i klubit rus ka kërkuar ta blejë lojtarin, ndërsa Ngo i ka thënë jo kësaj oferte. Mësohet se rusët dhe skuadrat e tjera janë të interesuara për Ngonë. Po kështu, plot 150 mijë euro janë ofruar për 25-vjeçarin nga Belgjika, që me bardheblutë këtë sezon ka gjetur rrugën e rrjetës disa herë.
Gjithsesi, shitja e Ngosë u bllokua në janar, pasi lojtari është kthyer në një minierë ari. Futbollisti ka një kontratë 1 plus 1 dhe vendosi të qëndrojë bardheblu edhe sezonin e ardhshëm. Britaniku u afrua një vit më parë te bardheblutë, teksa mbajti rolin kryesor në sulmin e Tiranës në Kategorinë e Parë, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës 24 herë kampione edhe për vitin e ardhshëm në Superiore.