Magji në Normandi, Gravil i kategorisë së katërt eliminon Bordonë

Normandi, krahinë e famshme në Francë mbi të gjitha për ngjarjet e mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Aty u zhvillua sot një betejë tjetër, këtë radhë thjesht futbollistike, një zbavitje për të gjithë, një festë e madhe për një qytezë të vogël të quajtur Gravil (Granville), me popullsi pak më shumë se 12.000 banorë dhe një stadium me 3200 vende.

Sot Gravil bëri histori në Kupën e Francës, sepse në 1/32-at e kompeticionit “hirushja” e kompeticionit eliminoi një emër të madh si Bordoja. Sa për kujtesë, Gravil luan në divizionin e katërt, ku rrezikon të zbresë nga kategoria, ndërsa trajnerin e ka 39 vjeç dhe skuadra paguhet për qejf, sepse në kategorinë e katërt është e qartë që nuk mund të quhet futboll profesionist dhe duhet bërë edhe ndonjë punë shtesë për të siguruar jetesën.

Deri në fund kryesonte Bordoja, por në minutën e 94-t erdhi goli i barazimit nga 21-vjeçari Martinet dhe në minutën e 103-të “shkurtabiqi” Duniama nga pika e bardhë mposhti Bordonë dhe siguroi kualifikimin e pabesueshëm, ndaj një Bordoje në krizë pa fund, që ka vetëm humbje prej dhjetorit.

Në minutat 86, 102 e 110 Bordoja mori 3 kartonë të kuq, një çmenduri më vete. “Qetësohuni, çuna, se me këto lajme na e përmbytët faqen”, shkruan klubi i vogël në Twitter, aty ku kanë vërshuar komente e urime nga e gjithë Franca.

Kjo është kupa: kupë ku i vogli në bazë të shortit mund të luajë në shtëpi ndeshjen e jetës dhe të mundë gjigantët. Një mesazh edhe për futbollin shqiptar, aty ku kupa luhet vetëm për 5-6 klube.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *