Ish-trajneri beson se vlonjatët do e kalojnë ngërçin dhe do ta realizojnë objektivin sezon. “Vazhdimësia e punës me një trajner që klubi i beson është çelësi i suksesit”
Elton Nika
37 pikë në renditje dhe vendi i 6-ë, por Europa është shumë pranë për Flamurtarin. Ndeshja me Kukësin vlen shumë dhe një fitore në fundjavë e ngre skuadrën kuqezi, jo vetëm në renditje, por edhe nga ana psikologjike. Në fakt, marrja e tri pikëve është detyrim, sepse Flamurtari vjen nga 4 humbje radhazi dhe do të komplikonte gjithçka, nëse do të linte sërish pikë dhe aq më tepër në fushën e tij.
LUTAJ – Ish-trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, në një prononcim për “Sport Ekspres”, pranon se skuadra ka marrë një goditje në javët e fundit, por, sipas tij, i ka të gjitha mundësitë t’i arrijë objektivat, duke futur në mes dhe Kupën e Shqipërisë. “Ndeshja me Kukësin është një moment shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe ecurinë e saj të mëtejshme. Një fitore ndaj Kukësit rrit natyrshëm gjendjen psikologjike të lojtarëve, duke bërë që ajo të shohë me më shumë optimizëm përpara. Natyrisht, në një kampionat të gjatë, çdo skuadër ka ulje-ngritjet e veta. Kjo i ndodhi edhe Flamurtarit, por ka ende ndeshje në kampionat për të synuar dhe realizuar objektivin, që është pjesëmarrja në Kupat e Europës. Flamurtari i ka të gjitha mundësitë ta arrijë Europën mes kampionatit, por edhe të fitojë Kupën e Shqipërisë. Skuadra e ka treguar se ka eksperiencë në këtë kompeticion dhe organika që ka e lejon të shikojë me optimizëm përpara për fitimin e këtij trofeu”, – ka theksuar fillimisht Lutaj.
RINOVIMI ME DURON – “Rezultatet e deritanishme te Flamurtarit, pavarësisht një periudhe të keqe, që për mua e kalon çdo skuadër, vijnë si rezultat i punës së mirë që ka bërë trajneri Shpëtim Duro dhe stafi i tij. Vazhdimësia e punës me një trajner që klubi i beson është çelësi i suksesit. Mendoj se Flamurtari për t’u përmirësuar edhe më tepër në të ardhmen, duhet të planifikojë kampionatin e ardhshëm trajnerin Duro në stol. Mendoj se sezonin tjetër Flamurtari do të jetë një kandidat shumë i fortë për titullin kampion. Sa i përket situatës aktuale, mendoj se ndeshja me Kukësin është një pikë kyçe, pasi pas saj është edhe ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë. Një fitore me Kukësin bën që skuadra të jetë më e qetë. Pra, ndeshja e radhës luan shumë fate në këtë moment të sezonit për Flamurtarin. Skuadra duhet të mbështetet sa më shumë nga drejtuesit dhe nga tifozët”, – ka përfunduar ish-trajneri i vlonjatëve, Lutaj.