Trajneri provon skuadrën kundër ekipit kavajas. Sot merret vendimi për Osmanllarin, Dycën, Përgjinin dhe Hasanin. Numri një i stolit do të vendosë
Lushnja e Hysen Dedjes vazhdon me intensit dhe ngarkesë maksimale minifazën përgatitore me 2 seanca stërvitore në ditë, në kompleksin komod të Tropikalit. Ndërkohë për sa i përket afrimeve gjendja është po ajo e 2 ditëve më parë ku korçari Osmanllari, shkodrani Dyca, lezhjani Përgjini dhe rusi Hasan, vazhdojnë të stërviten me verdhjeshilët nën vëzhgimin e trajnerit Hysen Dedja dhe stafit të tij teknik. I vetmi lojtar që ka bindur direkt teknikun shkodran është mbrojtësi Rexhep Memini. Ish-futbollisti i Kukësit ka marrë miratimin e Dedjes, ndërsa nënshkrimi i kontratës mbetet në dorë të tij. Durrsaku po sheh edhe mundësi të tjera për veten, prandaj e ka lënë paksa në një anë nënshkrimin me skuadrën lushnjare. Në Lushnje janë të bindur se Memini do të nënshkruajë, por kjo do të ndodhë vetëm nëse futbollisti nuk ka një tjetër alternativë më të mirë. Futbollisti ka mangësi në minuta këtë sezon, pasi nuk ka luajtur asnjë minutë me skuadrën verilindore. Ai u largua pas problemeve që pati me presidentin Safet Gjici. Memini nuk u pëlqye nga trajneri Milinkoviç dhe ardhja e Rustem Hoxhës në merkaton e janarit e nxori jashtë ekipit.
MIQËSORJA – Verdhjeshilët do të zhvillojnë sot miqësoren e radhës në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Ndeshja e sotme do të shërbejë si një grup prove për lojtarët që po vijojnë provën. Ata mund të marrin vendimin përfundimtar nëse do të qëndrojnë me ekipin dhe do të jenë nën urdhrat e trajnerit Dedja, ose do të largohen. Trajneri shkodran nuk i ka dhënë formën përfundimtare skuadrës, pasi pret që të përforcojë akoma më shumë radhët. Dedja vazhdon kontaktet me lojtarë nga Superiorja dhe Kategoria e Parë. Ai është i vetëdijshëm se skuadra e tij ka nevojë për përforcime, pasi gjysma e dytë e sezonit do të jetë akoma më e vështirë. Skuadra e tjera janë përforcuar ndjeshëm, ndërsa Lushnja duket një hap mbrapa tyre në vazhdimin e kampionatit.