Katër trajnerë për një sezon dhe një rënie e paralajmëruar. Lagunarët, vitet e fundit kanë dështuar që nga moshat e deri në skuadrën e parë
Arjan Likja
Edhe pse drejtuesit e bashkisë as nuk kanë denjuar të marrin në analizë sezonin e dobët që Lushnja zhvilloi në kampionatin elitar statistikat dhe shifrat flasin qartë. Paraqitjet amatoreske te ekipit verdhjeshil janë të shoqëruara me shifra të frikshme rekordesh negative në rezultat dhe statistikat që kanë regjistruar. Jo më kot, kjo Lushnje e sezonit që lamë pas ka thyer rekordin absolut negativ duke u klasifikuar si ekipi më i dobët i të gjitha kohërave që nga krijimi i saj përsa i përket rezultateve negative.
BASHKIA – Pa dyshim dihet që fajtore për këtë “gërryerje” dhe rrënimi në këto vitet e fundit të futbollit lushnjar të Lushnjes është institucioni i bashkisë i cili i ka bërë një keq menaxhim sistematik financiar dhe profesional duke shkatërruar infrastrukturën e terreneve stërvitore dhe duke zhdukur konkurrencën reale profesionale, duke filluar që nga grupmoshat deri tek ekipi i të rriturve i cili është mëshirimi dhe pasqyrimi më i qartë i kësaj çorbe të prishur që është gatuar nga ky institucion.
STATISTIKAT – Por le t’i kthehemi shifrave dhe drejtimit teknik që i është bërë ekipit të parë në këtë sezon të dështuar të kampionatit që lamë pas. Lushnja e sezonet që lamë pas në 36 ndeshje të luajtura në elitë grumbulloi 11 pikë me një mesatare qesharake amatoreske me 0,3 pikë për çdo ndeshje. Verdhjeshilët shënuan 29 gola teksa si kurrë ndonjëherë më parë kanë pësuar plot 86 gola duke u bërë tabelë qitje dhe bamirësi për ekipet e tjera jo vetëm për marrjen e pikëve por edhe për rregullimin e golaverazhit. Si kurrë më parë skuadra lushnjare është drejtuar nga 4 trajnerë brenda një sezoni futbollistik.
ARTAN BANO – Bano ishte “arkitekti” i kësaj Lushnje, teksa nën pëlqimin e tij u krye merkatoja dhe konfigurimi i këtij ekipi aspak konkurrues. Nën drejtimin e Banos, Lushnja zhvilloi 7 ndeshje, ku arriti të marrë vetëm 2 pikë me një mesatare 0,28 pikë për ndeshje.
HYSEN DEDJA – Mbas dorëheqjes së Banos, ekipi ju besua shkodranit Hysen Dedja. Dedja futi ekipin në punë me kuota profesionale stërvitore duke fituar besimin dhe simpatinë e tifozërisë lushnjare. Por edhe shkodrani u detyrua të jepte dorëheqjen pas mos korrektësisë që tregoi ndaj tij kryebashkiaku Tushe në problematikat e ekipit dhe në mos kryerjen e një merkatoje që ju premtua në minifazën dimërore. Dedja ishte i vetmi trajner që guxoi të flasë hapur për “sëmundjen” e pashërueshme që kishte pllakosur në futbollin lushnjar në mediat e shkruara dhe ato vizive teksa akuzoi edhe për pazare dhe mbajtje peng të futbollit lushnjar në kurriz të fanellës verdhjeshile. Nën drejtimin e shkodranit, Lushnja zhvilloi 11 ndeshje dhe mori 5 pikë me një koeficient 0,48 pikë për ndeshje.
DRITAN ÇUKO – Pas dorëheqjes së Dedjes “frenat” e pankinës verdhjeshile, Tushja ja besoi ndihmës-trajnerit Çuko. Çuko e drejtoi ekipin në 8 ndeshje duke marrë vetëm 3 pikë në një mesatare 0,37 pikë për ndeshje.
ILIR GJYLA – Kur ekipi pothuajse ishte larguar edhe matematikisht nga objektivi i mbijetesës u duk se Çuko do vazhdonte punën deri në fund të sezonit për të vazhduar garën formalisht. Por, Tushja nuk hezitoj të emëroj në krye të pankinës së Lushnjes, teknikun Gjyla. Pas uljes në pankinë edhe pse myzeqarët kishin dalë nga objektivi Gjylja premtoi respektim të kampionatit çka realisht nuk ndodhi. Nën drejtimin e tij në 10 ndeshje Lushnja mori vetëm 1 pikë me një koeficient qesharak 0,1 pikë për ndeshje duke e klasifikuar Gjylen si trajnerin me statistika më të dobëta nga 3 paraardhësit e tij. Siç dihet, trajneri Gjyla sapo ka marrë OK-in e Tushes për të drejtuar Lushnjen edhe në sezonin e ardhshëm futbollistik. Për median e shkruar pas këtij riemërimi në paniknën e Lushnjes, Gjyla dhe nënkryetari Nushi u shprehën se synimi për sezonin e ardhshëm do të jetë rikthimi në elitë. Madje, Gjyla pohoi se ekipin do ta ndërtonte duke u bazuar tek futbollistët “puro” lushnjar duke i dhënë përparësi edhe të larguarve apo futbollistëve të rinj. Ky fakt shihet me pozitivitet nga sportdashësit lushnjar edhe pse aktivizimi i të rinjve nga Gjyla në sezonin që lamë pas u duk shumë selektiv dhe pa meritokracinë profesionale.