Gjërat kanë marrë për mbarë në Gjirokastër, edhe për faktin se Hasan Lika i ka të gjithë lojtarët në dispozicion
Ditë euforie në Gjirokastër, pasi një moment kaq i mirë nuk shijohej prej kohësh, por nuk ka kohë për resto, sepse Luftëtari do ta zhvillojë ndeshjen e fundit të këtij viti në Kukës, të premten në mesditë. Kanë filluar që dje përgatitjet për këtë takim, që konsiderohet i vështirë jo vetëm se luhet ndaj kampionëve, por edhe për faktin që vendasit kanë si objektiv të vetëm fitoren, detyrim që i është vënë nga drejtuesit. Gjithsesi, ajo që bie në sy është fakti që Kukësi në shtëpi sivjet ka treguar se nuk është i pathyeshëm, pasi është mposhtur nga Skënderbeu, Partizani dhe Lushnja. Luftëtari vjen në këtë takim pas fitores së thellë 5-0 ndaj Partizanit dhe i ka shumë të nevojshme pikët, sepse ka vetëm me një pikë më shumë se Teuta dhe Vllaznia, që ndodhen në zonën e ftohtë të renditjes. Një rezultat pozitiv ndaj Kukësit, që kupton edhe barazimin, do të jetë me shumë vlerë për Luftëtarin, që edhe sezonin e shkuar bëri figurë mjaft të mirë në përballjet me Kukësin, duke humbur vetëm me një gol diferencë në Kukës dhe 4 pikë në dy ndeshje në Gjirokastër.
Në kampin gjirokastrit për momentin askush nuk shprehet për objektivin e tyre në këtë ndeshje, por kjo nuk do të thotë se nuk ekziston dëshira për të fituar. Kukësi nuk është ai i një sezoni më parë, ndaj besohet se mund të merret rezultat pozitiv. Por edhe skuadra gjirokastrite deri tani, me përjashtim të 2-3 ndeshjeve të fundit, ka pasur mangësi në lojën e vet, sidomos në shfrytëzimin e rasteve për të shënuar. Loja në rritje e Luftëtarit, sidomos me ardhjen në drejtim të ekipit të trajnerit Hasan Lika, jep shpresë për të mos dalë pa pikë nga kjo përballje dhe për këtë qëllim vazhdojnë përgatitjet. Optimizmi është më i lartë dhe duket qartë në veprimet dhe përkushtimin e futbollistëve gjatë stërvitjes. Ndaj Kukësit stafi teknik e ka në dispozicion gjithë grupin e futbollistëve. Rikthimi i Albano Aleksit, si dhe rikuperimi i plotë i Bruno Toledos, i japin mundësinë Luftëtarit jo vetëm të luajë me formacionin më të mirë, por të ketë edhe në stol futbollistët e duhur për zëvendësimet e nevojshme.
Gëzim Beqiri