Luftëtari i ri nis të hënën, trajner slloven në horizont

Pritet që deri në fillim të javës së ardhshme të zgjidhet trajneri ri. Drejtori teknik, Vangjel Çavo, ndodhet në Greqi për përforcimet

Gëzim Beqiri

Ditën e hënë është parashikuar të mblidhet bordi drejtues i Luftëtarit, për të vendosur mbi detyrat që duhen zbatuar për një paraqitje dinjitoze në Europa League, por edhe për kampionatin  e ardhshëm. Deri ditën e hënë është menduar se do të bëhet edhe përzgjedhja e trajnerit dhe duket se Hasan Lika e ka mbyllur me gjirokastritët, pasi nuk është kontaktuar që pas përfundimit të kontratës, më 31 maj. Emri i ri që ka dalë në skenë është ai i një trajneri slloven, Millosh Kostiç, i cili ka punuar për shumë vite si ndihmës i Sllavisa Jovanoviç në ekipet e moshave të kombëtares sllovene dhe më pas te Crvena Zvezda. Më pas, ndihmëstrajner te Lierse në Belgjikë, para se të niste punë si trajner i parë në korrik 2016, duke drejtuar Zeljezniçarin boshnjak e më pas Aharnaikosin grek, ndërsa tashmë punon si trajner i të rinjve tek Olimpia e Ljubjanës. Nëse firmos, Kostiç do të marrë me vete stafin e tij, ndaj do të përsëritet historia e sezonit të shkuar, kur Luftëtari e nisi me trajnerë të huaj.

MERKATO – Në diskutim janë edhe disa futbollistë, që priten t’i bashkohen skuadrës para se të niset për të zhvilluar fazën përgatitore në Austri më 13 qershor. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar se cilët do të jenë këta futbollistë, por është e kuptueshme se do të vijnë nga kampionati grek. Ka disa ditë që drejtori teknik, Vangjel Çavo, ndodhet në Greqi, pasi po kryen edhe detyrën e menaxherit, siç ka bërë në merkaton e janarit, kur solli në Gjirokastër përgatitësin atletik dhe atë të portierëve, por edhe portierin Athanasopulos, brazilianët Xhekson dhe Aurelio, Mingën dhe Demon. Luftëtarit i duhet një tjetër portier, pasi Shkëlzen Ruçi është i vetëm për momentin. Largimi i Bregut dhe Abazajt shtron një tjetër detyrë për stafin teknik, që do të thotë se futbollistët që do të merren, duhet të jenë të nivelit të lartë. Por mësohet se Çavo nuk është i vetëm në gjetjen e lojtarëve. Përkrah tij janë parë edhe disa menaxherë, që në disa ndeshje kanë qenë prezentë në Gjirokastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *