Luftëtari sapo ka larguar mbrojtësin Vangjel Zguro dhe krahu i majtë është varfëruar ndjeshëm, por në klubin gjirokastrit i kanë marrë masat me kohë, sepse janë siguruar shërbimet e dy lojtarëve më shumë eksperiencë.
I pari është Marko Aurelio Ribeiro Barbieri, brazilian 34-vjeçar. Marko Aurelio ka luajtur në rininë e vet edhe të Korintiansi, ndërsa në vitin 2007 e bleu Arisi i Selanikut. Që atëherë, lëvizje në shumë klube dhe prej vitit 2011 në Qipro, duke luajtur tek Ethnikos Ahnas, NEA Salamis, AEZ e së fundi të Aris Limassol. Marko Aurelio luan kryesisht si mbrojtës i majtë, por luan edhe në mesfushë dhe ka nuhatje të mirë për gol.
Futbollisti i dytë është paralajmëruar prej ditësh dhe është Xhekson Ferreira Silverio, edhe ky brazilian. Mbrojtës i majtë puro, Xhekson është një futbollist shtatshkurtër, i cili deri në vitin 2015 ka luajtur në Brazil, te Sport Resife e klube të tjerë. Në vitin 2015 mbrojtësi 26-vjeçar kaloi në futbollin grek, te Kalithea, ndërsa sezonin e shkuar shkoi te Trikalla, ku luajti pak dhe prej shkurtit 2017 nuk e ka parë më fushën, ndaj Luftëtari shpreson që mbrojtësi të jetë në formë të plotë fizike.