Nga Klaudio Ndreca
Roma nuk ka arritur që të marrë më tepër sesa një barazim pa gola kundër Cska Sofia, por mund t’i gëzohet edhe një pike të vetme, pasi mund të humbiste. Ekipi bullgar ka bërë ndeshjen perfekte nga ana taktike, duke luajtur në nivelin më të lartë kundër ekipit të Serisë A. Si mbështetjen kryesore në sulm kishin një emër të njohur për tifozët shqiptarë, ish-sulmuesin e Skënderbeut, Ali Sowe. Ky i fundit ka zhvilluar takimin më të mirë të kohëve të fundit, sipas asaj që raportojnë edhe vetë mediat bullgare.
Sowe ka realizuar disa shkëputje ndaj mbrojtësave me emër si Smalling, duke tërhequr shumë lojtarë të Romës pas vetes. Por i vetmi peng i këtij futbollisti që do të kurorëzonte edhe ndeshjen fantastike që zhvilloi ndaj Romës është mungesa e golit. Sowe nuk ka arritur që të kalojë portierin Lopez, pavarësisht shanseve të krijuara në portën kundërshtare. Nga krahu tjetër një vlerësim pozitiv ka marrë sërish Marash Kumbulla, që kthehet në një lojtar kyç dhe ku Fonesca mund t’i besojë përgjegjësi të mëdha. /Sport Ekspres/