Ndërprerja e kampionatit ka sjellë edhe debate në distancë mes presidentëve në Serie A. Lotito u kthye kundër të gjithëve dhe kërkonte me patjetër të nxirrte ekipin në stërvitje. Ideja se mund të humbiste kampionatin kundrejt Juventusit, teksa gjendet vetëm një pikë larg bardhezinjve dhe me një sezon thuajse perfekt të zhvilluar, nuk e ka lënë të qetë presidentin e Lazios. Përpos luftës së ftohtë me Anjelin e Juventusit, një tjetër president që shkoi tërësisht kundër Lotitos është ai i Breshias, Massimo Cellino.
Qyteti i tij është ndër më të prekurit nga Koronavirusi në Itali e për këtë arsye Cellino ka qenë i prerë në vendmin e tij: “Nëse rinis Serie A ne nuk do të futemi në fushë“. Kësaj ideje vijon t’i qendrojë besnik edhe tani, ku nuk ngurron as të thumbojë kreun e Lazios. “Gomari që pëllet nuk shkon në parajsë“ ka qenë shprehja e përdorur nga presidenti i Breshias për Lotiton.
“Po shoh tepër egoizëm dhe shumë njerëz po përpiqen të përfitojnë nga situata. Lotito dëshiron që të rikthehet të luajë? Thonë se gomari që pëllet nuk shkon në parajsë. Unë dëgjoj vetëm ata që ia vlen të dëgjohen. Madje nuk e di nëse vërtet përfaqëson Lazion, pasi në klub është vetëm presidenti i komitetit të menaxhimit“, ka thënë Cellino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/