“Lorik Cana nuk pranoi të ikte, Berisha në portë, Ajeti, Shaqiri, Xhaka dhe Januzaj”! Ky ishte formacioni që Kosova ëndërronte të kishte kur u pranua…

Në momentin kur Kosova u pranua që nga organizmat më të lartë të futbollit, falë edhe një punë fantastike të FSHF për t’i ardhur në mbështetje, lojtarët e Kombëtareve të ndryshme kishin lejen për të shkuar te dardanët nëse do të dëshironin që të ndryshonin zgjedhjen e tyre.

Ndërkohë gazetari shqiptar, Valon Konushevci, ka ripublikuar një intervistë të para disa viteve që zhvilloi me presidentin e ndierë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Para se Kosova të pranohej nga UEFA dhe FIFA, është vërtet interesante të shihet se çfarë planesh kishin te dardanët për lojtarët që do t’i ktheheshin. Lorik Cana dhe Valon Behrami e kishin bërë të qartë se nuk do të largoheshin nga Kombëtaret e tyre, por pritshmëritë ishin të mëdha për Xhakën, Shaqirin dhe Januzajn.

“Sot 10 vjet e pasna realizu këtë intervistë me Fadil Vokrrin e ndjerë Kurrë s’e harrojë atë takim e bisedë goxha të gjatë… Ishte 21 tetori i vitit 2013. Futbolli i Kosovës i izoluar në katër anët. I “ngulfatur”. I kanosur nga kriza e madhe financiare dhe infrastrukturore. Futbolli ishte në luftë në dy fronte: në frontin e mbijetesës dhe në frontin e procesit të ndërkombëtarizimit.

Fadil Vokrri thuajse gjithë fokusin  e kishte te e dyta. Madje, Vokrri veç e kishte krijuar një pikëpamje se si do të shkëlqejë Kosova posa të del në arenën ndërkombëtare.

Pas kualifikimit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Botërorin 2014 (në tetor të vitit 2013), me Vokrri e kisha lënë një takim për ta realizuar një intervistë.  Ishte bërë një kohë që Vokrri përpiqej ta përshpejtonte procesin e ndërkombëtarizimit, por pa folur shumë.

Çdo deklarim në media e shihte si rrezik për t’iu kthyer në disfavor të atij procesi. “Kryetar, nuk ke folur gjerë e gjatë, moti, shumë moti”, unë. “Ka kohë për të folur, të pranohemi njëherë”, ai.

“Nuk po bën me fol sepse pastaj po i prishim vetes punë. Por, masi po insiston, nuk po të kthej”, Vokrri mua! Unë teksa bëhesha gati për ta filluar intervistën: “Faleminderit kryetar. A e pe more Bosnjën. U kualifikua në Botëror”. Vokrri me një fytyrë të ngazëllyer dhe me disa lëvizje të zakonshme fizike të tij, më tha: “Po e pash, do të shkojmë edhe ne”.

Unë: “A kemi lojtarë për të shkuar në Botëror a?”. Ai: “Qysh nuk kemi?!” Unë: “Ok kryetar, me këtë po e fillojmë pra intervistën. Ja letra, edhe kimiku. Të lutem ma vizato formacionin e Kosovës drejt Botërorit. Ma vizato skemën, formacionin, dhe vendosi futbollistët”.

Vokrri e vizatoi fushën. Pastaj filloi t’i vendoste emrat e yjeve të futbollit kosovar. I shkruante dhe ua thoshte emrat me zë.  “Në gol Etrit Berisha. Në mbrojtje: Shkodran Mustafi, Mërgim Mavraj, Arlind Ajeti, Amir Abrashin. Në mesfushë: Alban Mehën e Migjen Bashën. Fatos Beqiraj në sulm dhe prapa tij Adnan Januzaj, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka”. Unë: “Kryetar, e Lorik Canën e Valon Behramin?!”. Vokrri: “Ata kanë thënë që nuk vijmë. Duhet me i respektu vendimet e tyre”.

Unë: “Kryetar, ka me dhezë kjo intervistë.  Asnjëherë më parë s’e ke vizatuar vet formacionin dhe nuk e ke bërë publik këtë vizion tëndin”.  Ai sikur filloi të frikësohej mos po i prish punë diçka procesit të ndërkombëtarizimit:

“Valon, mos e publiko këtë njëherë. Lëre më vonë, të tregoj unë kur me publiku këtë se jemi në një fazë të rëndësishme. Mos po bëhet e madhe dhe na prishet puna. Bë sa të dush pyetje veç këtë formacion mos e qit njëherë. Lëre më vonë!”. Unë si gazetar lakmoja të publikoja diçka të madhe, interesante. Diçka që buronte nga koka e zemra e një legjende, një prijësi të futbollit tonë:

“Ok bre kryetar. As unë s’po dua ta dëmtoj procesin, interesin nacional me një publikim të tillë. Por, s’e besoj bre që prish punë diçka edhe nëse e publikojë. Krejt bota e din që këta futbollistë janë kosovarë dhe që do të kenë mundësi të na bashkohen posa të pranohemi”.

Ai qeshi. E hetoi se ma prishi qejfin pak me insistimin e tij për të mos e publikuar atë formacion: “Valon, s’po ta prishi. Publiko se s’ka që e ndal anëtarësimin në UEFA e FIFA. Veç vonim, se kjo punë do të kryhet”.  Mua mu kthye buzëqeshja: “Faleminderit kryetar që po pajtohesh dhe nuk ma prishe. Por, e harruam punën e selektorit”.

Ai, sërish duke qeshur dhe duke i bërë lëvizje interesante fizike të tij. Po e prek gjoksin e tij.  Unë: “Cka, t’i selektor a?!”. Ai sërish duke qeshur: “Pse, a s’po ta mbushi syrin a”.  Unë: “Kryetar, tregomë seriozisht, a planifikon ndonjëherë me u bë selektor i Kosovës?”. Ai: “Po de. Por më vonë, t’i kryejmë njëherë këto punët e mëdha”. Unë: “Qysh i ke punët me kualifikim për trajner, a ke licencë?” Vokrri: “Valon, mos më vet njëherë. Krejt i kam. Po të tregoj që nuk e përjashtoj mundësinë për të ardhmen”. Unë: “Mirë boll. Po më çuditë me këtë takim për intervistë”.

Dhe e vazhduam intervistën, e cila të nesërmen, kur u botua, bëri jehonë të madhe. Sepse me shumë entuziazëm e siguri fliste jo gjithkushi, por një legjendë. Një kryetar federate ambicioze. Një ish sulmues i hatashëm që bënte që shtetet tjera formacionin e tij ta shihnin sikur ishin vendosur 11 Fadila në ekipin e parë kombëtar të Kosovës. Një artikull që u titullua: “Kosova e Vokrrit”. E Vokrrit është edhe sot dhe ai duhet të mbetet përjetësisht një frymëzim shtesë i “Dardanëve”, shkruan gazetari. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *