“Lojtarët e kishin mendjen te Anglia”, Rraklli analizon Kombëtaren: Rast i tillë vjen një herë në jetë

Shqipëria e nisi me këmbën e mbarë këtë edicion të kualifikueseve të Botërorit Katar 2022. Kuqezinjtë mposhtën Andorrën me rezultatin minimal 1-0, ndërsa ditën e dielë i pret një sfidë tejet e vështirë, pasi përballë do të kenë një emër të madh si Angli. Të ftuar në emisionin “Sport Magazine“ në “Ora News“ të moderuar nga Drilon Xhepollari, Altin Rraklli dhe Altin Lala kanë analizuar Kombëtaren kuqezi në ndeshjen me Andorrën, si dhe kanë dhënë mendimin e tyre për duelin e ardhshëm me “tre luanët“.

“Ndeshje të tilla patjetër që nuk janë të lehtë, sidomos në ditët e sotme. Të gjithë përpiqen të luajnë futboll, sidomos në aspektin mbrojtës, ku mblidhen mbrapa. Kundërshtarë të tillë janë shumë agresivë. Andorra ishte shumë agresive në lojën e vetë. E ka pasur gjithmonë në fakt, edhe në kohën qe kemi luajtur kundër tyre. Talentin që nuk e kanë e shfrytëzojnë me agresivitetin. E rëndësishme ishin tre pikët. Por kam përshtypjen që djemtë e kishin më shumë mendjen te ndeshja me Anglinë. Pra u ruajtën pak, nuk dhanë maksimumin.

Goli i dytë i shënuar me Anglinë? Ai gol i dytë që na u mohua, kam rastin që ti bëj një kompliment pas kaq shumë kohësh atij që dha asistin. Në rastin konkret është shoku im i vjetër, Lala, që dha atë asist fantastik. Ai pasi i Altinit mes 5 mbrojtësave ishte ndër topat e preferuar të mitë.

Kam përshtypjen që ditën e dielë do jetë ndeshje më e bukur se ajo e djeshme. Pra çunat i kanë ruajtur energjitë për atë ndeshje, sepse një rast i tillë një herë të vjen në jetë. Jam dakord që nëse do të kemi një shpresë në grup, ndeshjet direkte me kundërshtarët siç është Polonia apo Hungaria, do të ndajnë nëse vendin e 2-të e kapim apo nuk e kapim”, ka thënë Altin Rraklli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *