Azdren Llullaku nuk po zë rrënjë këtë vit. Pas përfundimit të kontratës me Astanën, sulmuesi i Shqipërisë priti gjithë janarin për të gjetur ekip dhe ditët e fundit shkoi në Turqi, duke u bashkuar në stërvitje me Ordabasin e Kazakistanit. Dje Llullaku shënoi në miqësoren e mbyllur 2-2 me Sllovackon dhe u duk se ka mbyllur gjithçka, duke u kthyer në Kazakistan.
Sot surpriza: Llullaku niset për në Itali, me destinacionin që pritet të jetë Virtus Entela, sipas Supersportit. Sipas burimeve pranë futbollistit, Llullaku dhe klubi i Ordabasit nuk firmosën kontratë, pasi nuk ranë dakord për detajet e marrëveshjes. Prej situatës së krijuar, kuqeziu mori menjëherë avionin drejt Bolognas, ndërsa është fare pranë mbylljes së akordit me Virtus Entellan. Edhe pse merkatoja në Serinë B është mbyllur, djaloshi nga Istogu mund të përfitojë nga rregulli i transferimit si lojtar i lirë.