Pas shumë vitesh duke u endur nëpër Europë, Azdren Llullaku kthehet në Itali, në shtëpinë e tij të dytë, sepse aty është rritur si futbollist, por nuk e pati kurrë shansin të luante te profesionistët.
Nuk u dorëzua Azdreni, shkoi në Rumani, ku u bë i rëndësishëm, aq i rëndësishëm sa u bë edhe pjesë e kombëtares sonë, ndërsa i erdhën oferta të rëndësishme. Asnjë gjë serioze nga Italia, ndaj Llullaku zgjodhi Kazakistanin, ku të paktën i garantonin një pagë super, sepse tashmë është 29 vjeç, duhet menduar edhe e ardhmja e largët.
Gjithsesi, Italia i mbeti në mendje dhe kur erdhi oferta nga Virtus Entela para pak ditësh, Llullaku la Turqinë ku po stërvitej me kazakët e Ordabasit dhe mori avionin për në Itali.
Sot prezantimi, anësori ofensiv me ne fund realizon ëndrrën e tij, do të luajë në futbollin e vërtetë, atë që shumë vite më parë nuk e preku dot.
Do të gjejë në Entela edhe Naser Alijin, mbrojtësin kuqezi i cili po kërkon të rikthehet ai i pak kohëve më parë, kur po bëhej anëtar i rëndësishëm i Kombëtares.