VIDEO/ Shqipëria bën detyrën kundër Andorës, kuqezinjtë marrin tre pikët e para për ëndrrën drejt Botërorit

Shqipëria ka bërë detyrën në përballjen kundër Andorrës. Kuqezinjtë kanë fituar me rezultatin 3-0. Ndeshja u vendos që në 20 minutat e para të saj. Në minutën e 9 ishte Manaj që zhbllokoi rezultatin me një goditje me kokë. Vetëm 10 minuta më vonë ishte përsëri sulmuesi i Sivasporit ai që e dërgoi topin në rrjetë. Këtë herë një meritë të madhe kishte Armando Broja, i cili dha asistin pasi dribloi dy lojtarë kundërshtarë në zonë.

Kuqezinjtë e ulën ritmin në pjesën e dytë të takimit dhe kontrolluan topin pa rrezikuar shumë portën kundërshtare. Kur po pritej mbyllja e lojës, Uzuni e shtyti topin përtej vijës fatale dhe e vulosi rezultatin përfundimtar në 3-0. Kjo është fitorja e parë në grup për Kombëtaren tonë, e cila ëndërron për një biletë për në Kampionatin Botëror./Sport Ekspres/