Shqipëria U-21 ka publikuar listën për ndeshjet radhës që do të luhen këtë muaj. Alban Bushi ka bërë zgjedhjet e tij dhe ka përzgjedhur lojtarët që do të ketë në dispozicion. Shpresat kuqezi do të përballen fillimisht me Kosovën dhe më pas i pret një tjetër transfertë me Anglinë. Synimet për këto dy sfida janë vetëm pikët e plota për të shpresuar më pas në një kualifikim të mundshëm për në Europianin 2021.
Kategoria Superiore vijon të furnizojë ekipin e Alban Bushit, duke nisur që nga Muçi në majën e sulmit, për të vazhduar me Xhixhën, Malën, Musajn, Sotën dhe dyshen e Laçit, Selmani dhe Marku. Ndërkohë në listë gjendet edhe emri i kapitenit të Kombëtares U-17, Mario Mitaj, i cili tashmë djeg etapat dhe kalon me ekipin Shpresa, teksa ka hedhur një hap madhor edhe në kampionatin helen, ku ka debutuar me Aekun e Athinës. Në listën me 21 lojtarë përfshihet edhe sulmuesi që ka shpërthyer me gola në Finlandë, Albion Ademi, që ka munguar në ndeshjet e shtatorit për shkak të kufizimeve të klubit prej pandemisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/