Trajneri Reja ka publikuar listën e Shqipërisë sa i përket tre ndeshjeve që do të zhvillohen në këtë muaj për kualifikueset e Botërorit. Menjëherë pas shpërndarjes së saj ka reaguar edhe menaxheri i Jasir Asanit, Aleksandar Jovkov.
Ky i fundit kthen një diskutim të vjetër teksa kërkon lojtarin e Partizanit që të vishet me fanellën e Kombëtares A. Në faqen e njohur të dedikuar rreth elitës së futbollit tonë në “Instagram”, “Superliga Shqiptare 82”, Jovkov ka kritikuar Rejën që nuk e ka thirrur Asanin.
“Ku është Jasir Asani që ka luajtur për 3 vite e gjysmë me Partizanin? Ju e shikoni përditë dhe nuk e thërrisni. Mos harroni se la Maqedoninë për Shqipërinë, po luani me karrierën e tij. Jepini një shans, nuk është e drejtë, mos u bëni amator. Jasir Asani e meriton ftesën e Shqipërisë me ndeshjet te Partizani”, shkruan Jovkov. /Sport Ekspres/